Lulja e Traboinit

0
Shkruan Kolec Palok Traboini
Requiem për Lulen e Blinit
Ka njerëz që marrin emrat e vendeve nga e kanë prejardhjen e ndër ta jam edhe unë, por ka edhe njerëz që vendit ku kanë lind e ku janë rrit u japin emrin e fytyrën e vet. Sot që një bijë Hoti, vajzë Traboini, Lule Martinaj e Nicajve na la për të shkuar në përjetësi, ma shumë se kurrë na vjen në mendje kjo lidhje me origjinën, me vendin e trojet e të parëve ku na njeh çdo gurë e çdo dru. Te Lulja e Blinit, siç e kemi thirr sa herë jemi gjend afër dhe e kemi taku, e shohim këtë lidhje e këtë mësim të përjetshëm brezash ma kthjelltë e ma të fortë se kurrë. Se Lulja e Traboinit është lind në këtë fshat mal, në këtë malësinë tonë me emër në histori, në këtë truall të krenarisë tonë me të cilin u lidh aq shumë sa ajo nuk mund ta kuptonte jetën e vet larg tij.
Kjo vajza lule e Traboinit kishte shumë dhunti, kishte za të bukur e këndonte, kishte dëshirën me hedh vallet e bukura e të vishej me xhubletën e Malësisë që aq bukur i rrinte në festa e gëzime e festivale, ishte shumë e dashur me njerëzit, i dinte e i respektonte traditat dhe kryekreje për ta mbajt gjallë atë që e kishte në shpirt e ne zemër, ajo donte që fryma e shqiptarisë të jetonte gjithmonë në këto troje ku u lind dhe e rriti shtatin. Në zemër të malit të Traboinit, përballë kronit, ajo kishte lokalin e vet që veç për shqiptari, trimëri e bujari flitej. Veç për zakone të mira, veç për nderin e dinjitetin që na lanë të parët tanë e që duheshin mbajt gjallë. Gjithë jetën e saj Lulja e Nicajve të Traboinit veç për këtë mendonte sa thua e kishte harruar jetën e vet. E pra ishte e re. Dhe duhet me e ditë se deri ku shkonte dashuria e Lules së Traboinit për vendlindjen e vet që është edhe vendi i të parëve tanë? Aq shume e donte sa ja kushtoi jetën e vet Traboinit. Nuk u martua kurrë. Se po të martohej në bazë të traditës së Hotit duhej të shkonte në ndonjë krahine a vend tjetër se hot me hot nuk martoheshin, po ajo nuk mund të ndahej prej Traboinit. Dhe e bani zgjedhjen e vet. Ajo do të jetonte gjithmonë në Traboin e fat tjetër për të nuk kishte. Eh, vajza dhe burrnesha e Traboinit! Ti Lulja e Nicajve të Traboinit kishe vizionin e të madhit Luigj Gurakuqi që në vitin 1911 ju gjend afër malësorëve në kryengritje me në krye Dedë Gjon Lulin. Kur nana e vet i tha Luigj Gurakuqit “po të martojmë, more bir” ai ju gjegj, “e kam një nuse nanë e ajo asht Shqipnia”. Edhe Lulja jonë kështu mendoi, kështu jetoi e kështu e mbylli jetën në Traboinin e vet. Tjetër fat nuk donte në jetë.
Prandaj thashë në krye se ka njerëz që marrin emrin e trojeve të vendlindjes edhe kur ikin larg, por ka të tjerë që rrinë aty dhe i japin vendlindjes emrin e fytyrën e vet. Tash Lulja e Blinit, Lulja e Nicajve të Traboinit me ikjen në amshim i dha emrin, fytyrën dhe frymën e vet Traboinit e aty do të mbetet në kujtim të përjetshëm.
Pushofsh në Paqe, motra jonë, Lulja e Traboinit!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu