Luan Tabaku, drejtor i Ujësjellës Kanalizimeve në Elbasan dhe biznesmeni me precedent në të shkuarën, Nazif Bajrami janë subjektet që kanë qenë në shënjestër të SPAK këtë të enjte. Gjithashtu subjekt ka qenë edhe një i tretë që merret me aktivitet sportive në qytetin e Elbasanit, por burime mjaft të besueshme u treguan të rezervuara për emrin e tij.
Hetimi drejtohet nga prokurorët Altin Dumani dhe Vladimir Mara, që kanë në duar edhe dosjen e Suel Çelës. Veprimet e kësaj të enjte kanë patur për objekt vetëm kontrollet me qëllim gjetjen dhe sekuestrimin e e materialeve që mund ti shërbejnë hetimit, mes të cilave dokumente dhe pajisje kompjuterike e telefonike.
BKH ka ushtruar kontrolle në zyrat e Ujësjellësit si dhe të biznesit të Bajramit në kuadër të hetimeve për grupin e Suel Çelës. Firma “Bajrami N” ka qenë shpesh e denoncuar si përfituese e favorizuar të tenderave publik, për të cilat ka patur flamuj të kuq edhe nga auditet e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
SPAK ka krijuar dyshime të arsyeshme gjatë hetimeve për grupin e Suel Çelës, ku janë konstatuar biseda që përmenden edhe subjektet e mësipërme, por nuk zbulohet ende roli i tyre në grupin e strukturuar kriminal. a.b