Komisioneri ankimon vendimin e KPK, kërkon shkarkimin nga detyra të ndihmës ligjores Albana Palaj

0

Komisionerja Publik Irena Nino ka ankimuar në shkallën e dytë të vetingut vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të ndihmës ligjore pranë Gjykatës së Apelit të Përgjithshëm, Albana Palaj.

Komisioneri Publik vlerëson se subjekti i rivlerësimit dhe personi i lidhur me të nuk mbulojnë me burime të ligjshme pasuritë e deklaruara në D-Vetting.

Nisur nga ky fakt, Komisioneri Publik kërkon që faktet për Albana Palajn të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe më pas të vendoset për shkakrimin nga detyra të ndihmëses ligjores.

“Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, pika 1, germa “b”, të ligjit nr. 84/2016, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë:
– Ndryshimin e vendimit nr. 789, datë 25.7.2024, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, znj. Albana Palaj.” – thuhet në anklimim.

Procesi i vetingut për Palajn u krye nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Alma Faskjan dhe anëtare Pamela Qirkon, teksa vendimi u shpall më 25 Korrik.

KPK evidentoi pamundësi financiare të subjektit për blerjen e një automjeti në Itali në vitin 2006, për çmimin 5000 Euro, para se ajo të ushtronte detyrën.

Ndërkohë, bashkëshorti është gjetur në pamundësi për blerjen e një apartamenti në Shkodër në vitin 1996 për çmimin 650 mijë lekë. Kjo pasuri është blerë nga bashkëshorti i subjektit para fillimit të detyrës dhe para lidhjes së martesës. Si burime janë deklaruar të ardhurat nga puna në emigracion në Greqi, por nuk është vendosur në dispozicion dokumentacion ligjor provues.

Bashkëshortët Palaj kanë rezultuar po ashtu në pamundësi dhe për blerjen e një toke dhe ndërtimit e një objekti tre katësh, në Bërdicë të Sipërme në Shkodër. Toka rezulton të jetë blerë në vitin 2002 për 100 mijë lekë, ndërsa për ndërtimin e objektit në vitet e mëvonshme është deklaruar se janë shpenzuar 15 milionë lekë. Subjekti ka shpjeguar se ndërtimi ka filluar në vitin 2005.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar balancë negative në vlerën 8 milionë lekë.

Po ashtu, pamundësi janë konstatuar për blerjen e një ngastre toke në vitin 2002 për shumën 300 mijë lekë dhe një furgon për çmimin 8000 euro, pasuri të krijuara para detyrës si këshilltare ligjore.

Gjithashtu u konstatua se nuk është deklaruar një veprimtari e bashkëshortit të subjektit dhe shtatë automjete në funksion të këtij biznesi privat.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar pamundësi financiare në vlerën 17 milionë lekë për periudhën para fillimit të detyrës dhe balancë negative në shumën 546 mijë lekë, për vitet kur Palaj ka ushtruar detyrën e këshilltares ligjore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu