Gazeta e madhe amerikane: Fushata kundër Berishës u orkestrua nga Soros-Blinken-Kim-Rama

0

Gazeta e madhe amerikane, ‘Boston Herald’ publikoi një koment të analistit të njohur, Peter Lucas, ku thuhet se fushata kundër liderit të opozitës, Sali Berisha, u orkestrua nga Soros-Blinken-Rama-Kim. Autori shkruan se edhe vizita e Blinken në Tiranë, synonte të eklipsonte skandalin Rama-McGonigal. Më poshtë shkrimi i plotë:

Shkruan Peter Lucas, Boston Herald 

Ndërsa Sekretari i Shtetit, Antony Blinken ishte në Tiranë duke lavdëruar kryeministrin shqiptar, Edi Rama, javën e kaluar, një agjent i turpëruar i FBI-së, me lidhje me Ramën, u dënua me burg për akuzat e ryshfetit.

Ish-kryeagjenti i FBI-së, Charles McGonigal, 55 vjec, dikur kreu i zyrës së kundërzbulimit të FBI-së në Nju Jork, u dënua me dy vjet burg të premten e kaluar pasi u deklarua fajtor për marrjen e një pagese prej 225 mijë dollarësh në para të thata.

Paratë erdhën nga një ish-agjent i inteligjencës shqiptare, Agron Neza, tani shtetas amerikan, i cili mori pjesë në takimet me McGonigal dhe Ramën, si në Uashington, ashtu edhe në Tiranë.

Dënimi u shtohet katër viteve që McGonigal do vuajë për komplot për të shkelur sanksionet ndaj Rusisë, duke bashkëpunuar me rusin Oleg Deripaska, të cilin e kishte hetuar dikur.

McGonigal, i cili pranoi se kishte një lidhje të vazhdueshme me Ramën, u takua fshehurazi me Ramën dhe Nezën në disa raste.

Në një takim në Tiranë më 9 shtator 2017, për të cilin FBI nuk dinte asgjë, McGonigal diskutoi ndër të tjera me Ramën edhe për kontratat e shpimit të fushave të naftës. Madje McGonigal i dhuroi Ramës një kapele bejsbolli të FBI-së.

Menjëherë pas kësaj, McGonigal dyshohet se ka pranuar paratë në disa pagesa nga Neza gjatë takimeve në Nju Jork. Nuk është bërë e qartë se çfarë bëri McGonigal në këmbim të parave.

Rama ka mohuar çdo keqbërje. Dhe ai nuk është vënë nën hetim as në SHBA dhe sigurisht as në Shqipëri, të cilën ai e kontrollon.

Ajo vizitë e shtatorit ishte një nga disa udhëtime që McGonigal bëri në Shqipëri, një vend i vogël ish-komunist ku korrupsioni politik dhe pastrimi i parave nga droga janë të zakonshme.

Arrestimi i McGonigal shkaktoi një stuhi zjarri politik në Shqipëri. Megjithatë, Rama, kreu i Partisë Socialiste, ka mundur ta kapërcejë stuhinë.

Ai është ndihmuar nga Blinken, ambasada e SHBA dhe Departamenti i Shtetit, të cilët vazhdojnë ta mbështesin atë, ndërsa godasin kundërshtarin kryesor politik të Ramës, ish-kryeministrin Sali Berisha të Partisë Demokratike të qendrës së djathtë.

Berisha, 79 vjeç, që kërkon një rikthim politik, kandidon kundër Ramës në vitin 2025.

Blinken është zhytur gjer në grykë në politikën shqiptare, gjë që mund të rrjedhë nga sulmet e mëparshme të Berishës ndaj George Soros, një mik i familjes Blinken, i cili ka kërkuar të ndikojë në politikën shqiptare dhe sistemin e saj të drejtësisë.

Ambasadorja e Blinken në Shqipëri, Yuri Kim, u hodh në politikën shqiptare siç nuk ka bërë kurrë asnjë zyrtar tjetër amerikan. Ajo u përpoq të nxirrte Berishën nga Partia Demokratike, të cilën ai e themeloi pas rënies së komunizmit. Duke dështuar në këtë, ajo u përpoq ta largonte atë si deputet.

Blinken më herët i bëri një favor të madh Ramës, kur e ndaloi Berishën, dikur i preferuari i Departamentit të Shtetit, të hynte në SHBA. Ai e shpalli Berishën si person non-grata për ‘akte korruptive’ të paspecifikuara që dyshohet se kanë ndodhur kur Berisha ishte në pushtet 8 vjet më herët.

Së fundmi, Rama në dhjetor e vendosi Berishën në arrest shtëpie për korrupsionin e dyshuar të një marrëveshje toke 15 vjet më parë.

Berisha, kreu i parë i zgjedhur popullor i Shqipërisë pas rënies së komunizmit, shërbeu si president nga viti 1992-1997 dhe përsëri si kryeministër nga viti 2005-2013.

Ndalesa e shkurtër e Blinken në Tiranë, gjatë rrugës për në Konferencën e Sigurisë të Mynihut, shërbeu si një shpërqendrim i madh për marrëdhënien McGonigal/Rama dhe dënimin e McGonigal. Rama mirënjohës e priti Blinken sikur të ishte kryetar shteti.

Vizita simbolizonte gjithashtu miratimin e Blinken për vendimin e Ramës për të arrestuar Berishën dhe për të gjymtuar fushatën e tij.

‘Zyrtarët e korruptuar po mbajnë përgjegjësi,’ u tha Blinken gazetarëve shqiptarë, duke treguar se ai kishte parasysh Berishën, jo McGonigal apo ndonjë tjetër në Shqipëri.

Ndërkohë Berisha flet çdo natë nga ballkoni i banesës së tij në Tiranë për mbështetësit që mblidhen në rrugën poshtë.

Ashtu si Joe Biden, Edi Rama me ndihmën e Blinken po sigurohet që kundërshtari i tij të bëjë fushatë nga qelia e burgut. Politika në Shqipëri është fisnore, e poshtër dhe hakmarrëse, ashtu si në Amerikë.

Berisha nuk është shenjt me siguri, por as Rama. Shenjtorja e fundit shqiptare ishte Nënë Tereza dhe ajo mori trenin e fundit për në bregdet.

Pyetja pa përgjigje është: Nga erdhi pagesa prej 225 mijë dollarësh për McGonigal dhe për çfarë shërbente?

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu