Fati politik i Kurtit dhe fati juridik i UÇK-së

0

Shkruan Zef Ndreka

– Albin Kurti kur i nevojitet, e përdor UÇK-në si dekor elektoral. Deri më sot e ka përdorur si mjet përçarjeje dhe e ka trajtuar historinë e saj pa dinjitet dhe drejtësinë me standarde të ndryshme.
Pavarësisht se vendimi për Hashim Thaçin dhe liderët e tjerë të UÇK-së është ende i apelueshëm, është me interes të analizojmë fatin juridik të liderëve të UÇK-së nga fati politik i Albin Kurtit, i cili në çdo rrethanë, e ka humbur tashmë terrenin politik.
Por fati politik i Albin Kurtit nuk e ngatërrojmë aspak me fatin juridik të Hashim Thaçit dhe liderëve të tjerë të UÇK-së. Lirimi i tyre në apel do ta përshpejtonte rrotacionin politik në Kosovë, sepse rikthimi i tyre në jetën publike do të ndryshonte ndjeshëm ekuilibrat politikë.
Edhe nëse dënimet do të mbeteshin në fuqi, kjo aspak nuk do të nënkuptonte patjetër dobësimin e opozitës.
Përkundrazi, mund të prodhonte një mobilizim të ri politik dhe shoqëror rreth çështjes së luftës dhe drejtësisë.
Por këtu qëndron edhe kontradikta që duhet parë qartë.
Nuk mund të jesh njëkohësisht qeveri që politikisht ke mbajtur distancë nga trashëgimia e UÇK-së, sidomos kur ajo gjykohet në Hagë, e njëkohësisht përpiqesh të paraqitesh si mbrojtësi i saj sot.
Është ironike që pas vendimit të 16 shtatorit, Kurti e cilësoi dënimin e katër ish-drejtuesve të UÇK-së si “padrejtësi të papranueshme” dhe kërkoi korrigjimin e tij në apel. Kjo deklaratë duhet parë në dritën e qëndrimeve dhe veprimeve të tij politike ndër vite, jo vetëm si reagim ndaj një vendimi gjyqësor.
UÇK-ja është një çështje historike e Kosovës, ndërsa drejtësia për individët është çështje juridike. Ndërsa fati i Kurtit është çështje politike.
Këto tri gjëra nuk mund ti përziejmë.
Kosova ka nevojë për politikë që nuk e përdor UÇK-në as si dekor elektoral, as si mjet përçarjeje, por ta trajtojë historinë e saj me dinjitet dhe drejtësinë me standarde të njëjta për të gjithë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu