Shkruan Azgan Haklaj
Simfoni e dhimbjes dhe e lavdisë!
Epika e shpirtit të thyer, përtej vargut!
Prozë poetike, epiko-historike!
Prej thellësive të kohës, ku gjaku në damarë zien,
Një emër i lashtë në shkëmb daltëzohet.
Në Malësinë e Gjakovës, ku era fërshëllen,
Mbi trupin e brishtë të shtojzovalleve xhubleta valëzohet.
Në krye, plisi i bardhë, kurorë bjeshkësh;
Përkulur para tij, koha bashkudhëtar me të ecën.
Me telat e lahutës pret dita për t’u zbardhur;
Këngët e Mujit dhe Halilit historinë kanë mbartur.
Xhamadani i kuq, si flakë mbi zemër,
Ruan në çdo thurje vulën e lashtësisë.
Eposi i Kreshnikëve, në çdo rrokje e varg,
Rrëfen trimëritë dhe betejat e lirisë.
Me hapat e lashtë të valles së Pirros e Aleksandrit,
Shpatat e ndezën lavdinë iliriane.
Strategu i madh, Gjergj Kastrioti, shqiptar,
E ngriti flamurin në Krujë, krenar.
Në Janinën legjendare, ku Ali Pasha buçiti,
Guximi në trojet e Arbërit si vullkan shpërtheu.
Qëndroi si kështjellë e pathyeshme, shkëmb graniti,
E shkroi emrin në histori, me gjak e vulosi si Prometeu.
Oso Kuka e Zhuj Selmani, në kullë,
Me fuçi baroti shpërthyen mbi armikun e zi,
Për t’i dhënë vdekjes jetë e trojeve liri.
Tek krojet ku Ali Pasha në Guci kaloi,
Zanave kushtrimin ua ka lëshuar,
Dhe shpata e Jakup Ferrit, mbi kalë të bardhë,
U lëshua si rrufeja mbi pushtuesit, duke i shpartalluar.
Lidhja e shqiptarëve, zemra e atdheut,
Në Prizren, ku u lidh besa e dheut,
U ngrit si një mal për fatet e kombit,
Për t’i dhënë dritë trollit e lirinë e motit.
Mic Sokoli me gjoks mbi top u shtri;
Bëri urë trupin e tij dhe për liri u bë fli.
Dhe Sef Kosharja, me plis në lis,
Mbeti pishtar i përjetshëm i shqiptarisë.
Në Malësinë e Madhe, zëri i Dedë Gjon Lulit jehoi;
Në majë të Bratilës flamurin ngriti dhe me shqipen fluturoi.
Në Kuvendin e Junikut, me thirrjen: “Shpëtim a vdekje!”,
Hasan Prishtina u priu trimave të lirisë.
Aty u ngjiz platforma për kryengritjen madhore
Dhe i shkundi Perandorisë Osmane themelet me fuqi hyjnore.
U çlirua Shkupi nga burrat e lirisë
Dhe u shpall bashkimi i shqiptarisë.
Nga Mitrovica në Vlorë, me burrat e zërit të lartë,
Isa Boletini, me armë në brez, trim i papërsëritshëm në histori,
Ismail Qemali, me urtësi, i shkriu stuhitë,
Ngritën flamurin kuq e zi dhe i dhanë Shqipërisë dritë!
Nënë Tereza dritë dhuroi, lirinë e kombit kërkoi.
Krismat e pushkëve të UÇK-së epopenë shënuan;
Çlirimtarët në luftë si luanët qëndruan.
Në Prekaz, te Kulla e Besës,
Flaka e Adem Jasharit, dritë e shpresës!
Ranë Jasharajt në betejë, në emër të lirisë së atdheut;
Mbetën të pavdekshëm, flakadanë të mëmëdheut.
Te kullat e Dukagjinit, që burrnisht u ngritën,
Haradinajt, me gjak, themelet e lirisë i ndritën.
Në Kosharen atje ku piramidat u shkulën si dhëmballë e kufiri u përgjak.
Shpërtheu gjëmimi i lirisë që s’matet me cak.
Ushtria Çlirimtare Kombëtare, në trojet e veta, u ngrit si stuhia;
Me Ali Ahmetin në ballë, për liri u bashkua shqiptaria.
Në zemër të Iliridës, burrat dhanë fjalën,
Që guri i vatrës të mos humbë; ta ruajm identitetin e racën.
Në Luginën e Preshevës, ku Ridvan Qazimi doli në ballë,
Lleshi u bë flakë e trimëri pa fjalë.
Pushka e Tahir Sinanit, në tri luftëra, bubullimë;
Komandanti legjendar lirinë me gjak e vulosi.
Por ëndrra e tij ishte të kriste pushka për Çamërinë,
Qysh në agim, binjake me historinë, tokë shqiptare, mot pas moti.
Në altarin e lirisë, që kurrë s’ka për t’u shuar,
Gjaku i dëshmorëve mbeti për jetë i bekuar.
Në sallën e ftohtë, ku padrejtësia kërkon të gjykojë historinë,
Ata që sollën lirinë sot mbajnë mbi supe vetminë.
Në Hagë qëndrojnë shtyllat e epokës sonë të re:
Çlirimtarët e UÇK-së, që bënë sakrificë vetëmohuese për atdhe.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, dhe gjithë shokët e tyre, që çlirimin e Dardanisë (Kosovës) kurorëzuan,
Janë jehona e gjallë e luftës që s’mund të shuhet;
Se liria e Kosovës me burgje nuk fshihet,
Trupi i saj nuk tkurret.
E historia nuk mund të rishkruhet.
Ata që panë vdekjen në sy në çdo llogore,
Sot mbrojnë të vendosur kauzën e luftës përballë gjyqit të historisë.
Si dikur në Koshare, në Pashtrik e në Prekaz,
Ata mbajnë lart emrin e kombit, pa asnjë lëkundje e e asnjë hap pas.
Kjo është rrënjë e kësaj toke, identitet i shenjtë;
në çdo valle, në çdo gur, në çdo emër të vërtetë,
Një histori e gjallë që kurrë s’ka për t’u tretur:
Ilirë, dardanë, arbër, shqiptarë të pamposhtur
Në shekuj kemi mbetur!



