Shkruan Zef Ndreka
Kaluan plot tre muaj protesta të pandërprera në Tiranë të qytetarëve dhe manipulatorëve.
Kohë e mjaftueshme për ta analizuar.
Shtrojmë pyetjet:
Për çfarë doli protesta në rrugë?
Më tej akoma, çfarë kërkon të arrijë tani?
Në nisje të saj, protesta mund të kishte një kauzë, një revoltë, një kërkesë politike apo qytetare. Por si çdo protestë, sado e fortë të jetë, duhet të ketë një pikë ku kërkesat përkthehen në rezultate konkrete.
Ndryshe ndodhi. Protesta u kthye nga një instrument demokratik presioni në një ritual të përditshëm politik, ku mikrofoni zëvendësoi programin, slogani zëvendësoi argumentin dhe turma po përdoret si dekor për një “revolucion” që askush nuk di më se ku duhet të përfundojë.
Sot, pas tre muajsh, është normale të pyesim:
A e ka arritur protesta qëllimin e saj kryesor dhe cili është qëllimi i ri?
Demokracia nuk është vetëm të dalësh në shesh. Demokracia është edhe të dish kur kërkesa jote duhet të kthehet në dialog, në institucion, në alternativë politike dhe mbi të gjitha, në votë.
Nëse synimi ishte të detyrohej qeveria të reflektonte, atëherë sot duhet parë konkretisht se çfarë ka ndryshuar?
Çfarë është korrigjuar?
Çfarë është pranuar?
Çfarë është refuzuar?
Ku është bilanci i tre muajve?
Po partitë e tjera politike, sa kanë mësuar nga kjo histori?
A kanë kuptuar se qytetari nuk është thjesht një numër që thirret në protestë, një flamur që mbahet në turmë apo një duartrokitje që kërkohet para mikrofonit?
Apo vazhdojnë ta shohin shoqërinë vetëm si një instrument për marrjen e pushtetit?
Protesta është e drejtë demokratike, ndërsa anarshia nuk është demokraci.
Asnjë pakënaqësi qytetare, sado e madhe të jetë, nuk e legjitimon as dhunën, as destabilizimin apo përpjekjen për të përmbysur një pushtet pa kaluar nga mekanizmi që e përcakton demokracia, pra me votë.
Nëse dikush kërkon ndryshimin e pushtetit, le ta kërkojë. Le të bindë qytetarët. Le të ndërtojë një alternativë. Le të fitojë zgjedhjet. Kjo është rruga e demokracisë.
Por ideja se një pushtet mund të rrëzohet thjesht sepse një turmë qëndron pafundësisht në shesh, ndërsa institucionet dhe vota anashkalohen, është një precedent shumë i rrezikshëm. Sot mund të përdoret kundër një qeverie që nuk na pëlqen, nesër mund të përdoret kundër kujtdo që fiton zgjedhjet.
Dhe këtu është halli më i madh. Ndërsa tani në hall kanë mbetur edhe qytetarët.
Sepse qytetari ka të drejtë të protestojë, por ka edhe të drejtë të jetojë, të punojë, të udhëtojë, të bëjë biznes, të rrisë fëmijët dhe të ketë një vend normal ku institucionet funksionojnë.
Nuk mund të ndërtohet një shoqëri demokratike mbi idenë se çdo konflikt politik duhet të përfundojë me bllokim, tension, presion në rrugë dhe thirrje për “revolucion”.
Tre muaj janë kohë e mjaftueshme për të bërë një bilanc.
Çfarë u arrit?
Çfarë ndryshoi?
Çfarë mësuam?
Çfarë kërkohet tani?
Nëse ka një kauzë konkrete, të vazhdohet me argumente, paqësisht dhe brenda ligjit.
Nëse kërkohet reformë, të artikulohet reforma.
Nëse kërkohet qeverisje tjetër, të ndërtohet alternativë.
Nëse kërkohet pushtet tjetër, të kërkohet vota e qytetarëve.
Por nëse pas tre muajsh mbetet vetëm mikrofoni, thirrja për “revolucion”, tensioni dhe ideja se pushteti duhet të përmbyset pa votë, atëherë nuk kemi më përpara një protestë që kërkon zgjidhje.
Kemi një krizë politike që rrezikon të mbahet gjallë vetëm për hir të vetvetes.
Por Shqipëria nuk ka nevojë për një revolucion të improvizuar në mikrofon.
Ka nevojë për një opozitë që bind, një qeveri që reflekton, institucione që funksionojnë dhe qytetarë që vendosin me votë.
Në fund të fundit, pushteti mund të fitohet në shesh përkohësisht, por legjitimiteti i pushtetit fitohet vetëm nga qytetari.
Dhe qytetari nuk duhet të mbahet peng as nga qeveria, as nga opozita, as nga protesta.



