Shkruan Qamil Gjyrezi
Me rastin e ditëlindjes më 22 Gusht 1949 së aktorit të Teatrit ‘Migjeni’ Agron Dizdari, po shkruaj një ese për kontributin e tij me shumë vlera artistike për teatrin në Shkodër dhe Shqipëri. Për të bërë një analizë të ‘detajuar’ psikologjike i’u drejtova teorisë së semiotikës së teatrit. Semiotika e teatrit është studimi se si shenjat dhe simbolet krijojnë kuptim në skenë. Ajo shqyrton se si objektet, fjalët, lëvizjet dhe tingujt e përditshëm transformohen në mjete komunikimi për audiencën gjatë një shfaqjeje të drejtpërdrejtë. Agron Dizdari përfaqëson një model aktori që e ndërton personazhin më shumë përmes së vërtetës së brendshme sesa efektit të jashtëm. Arti i tij nuk mbështetet te gjesti spektakolar, por te përqendrimi psikologjik, ritmi i matur dhe një prani skenike që krijon besueshmëri. Në aspektin semiotik, çdo element i interpretimit të tij funksionon si një shenjë kuptimore. Heshtja nuk është mungesë e fjalës, por një mënyrë komunikimi. Ajo shpreh konflikt të brendshëm, pritje ose reflektim. Shikimi është bartës i emocioneve. Shpesh sytë e tij tregojnë atë që personazhi nuk e thotë. Qëndrimi i trupit krijon marrëdhënien e personazhit me botën, herë i fortë dhe dinjitoz, herë i rënduar nga ‘pesha e jetës’. Zëri nuk përdoret vetëm për të shqiptuar tekstin, por për të ndërtuar atmosferë dhe tension dramatik. Këto shenja krijojnë një gjuhë artistike ku publiku lexon emocionin edhe pa dialog. Forca e Agron Dizdarit qëndron te kontrolli i emocionit. Ai nuk e ekzagjeron dhimbjen, gëzimin apo zemërimin. Emocioni duket sikur buron natyrshëm nga personazhi. Kjo i jep interpretimit të tij një ndjenjë autenticiteti. Spektatori nuk sheh një aktor që “luan”, por një njeri që jeton realisht konfliktin.
Filozofia artistike në rolet e aktorit Agron Dizdari
Filozofia e teatrit është një degë e estetikës dhe studimeve të performancës që shqyrton natyrën themelore, kuptimin dhe etikën e performancës dramatike live. Në planin filozofik, arti i tij mbështetet mbi disa ide: njeriu është më i ndërlikuar sesa duket; e vërteta artistike lind nga sinqeriteti; dinjiteti njerëzor mbetet edhe në rrethana të vështira; tragjikja dhe shpresa bashkëjetojnë. Në këtë kuptim, ai i afrohet traditës së realizmit psikologjik, ku personazhi zbulohet gradualisht dhe jo përmes deklaratave të mëdha. Një nga tiparet më të veçanta të interpretimit të Agron Dizdarit është aftësia për të krijuar besim. Publiku ndien se personazhi është i vërtetë, sepse çdo gjest, pauzë dhe fjalë kanë motivim të brendshëm. Si përfundim aktori Agron Dizdari mund të shihet si një aktor i ‘minimalizmit ekspresiv’, ai arrin intensitet emocional jo me teprim, por me përmbajtje. Semiotika e tij ndërtohet mbi heshtjen, shikimin, ritmin dhe praninë skenike. Filozofia e tij artistike e vendos njeriun në qendër, me të gjitha kontradiktat, dobësitë dhe dinjitetin e tij. Një analizë edhe më e thellë mund të bëhet duke marrë në studim një rol të caktuar të Agron Dizdarit dhe ta shqyrtojmë skenë pas skene nga pikëpamja semiotike, filozofike dhe emocionale. Kjo do të na lejojë të kuptojmë më qartë thelbin e artit të tij.
Rolet e Agron Dizdari që kanë ndikuar tek publiku shkodran, empatia dhe identifikimi.
Ndikimi i roleve të personazheve te një audiencë formëson mënyrën se si shikuesit përpunojnë emocionet, empatinë dhe vlerat shoqërore. Thëniet klasike teatrale – të tilla si “nuk ka role të vogla, vetëm aktorë të vegjël” ose “e gjithë bota është një skenë” e Shekspirit nxjerrin në pah se si çdo rol i luajtur kontribon në transformimin kolektiv të spektatorit. Po analizoj njërën prej tyre. Empatia dhe identifikimi: ‘Protagonistët i lejojnë audiencës të hyjë në jetë alternative, duke nxitur dhembshuri të thellë për problemet jashtë realitetit të tyre të përditshëm. Aktori Agron Dizdari ka luajtur shumë mire disa role në Teatrin ‘Migjeni’, që kanë ndikuar pozitivizht tek vetë aktori dhe publiku shkodran. Në këtë kontekst e pyeta një ditë me shkrim më Whats up Agronin: ‘Cili prej roleve tuaja, ka qenë roli që të ka bërë më shumë përshtypje, në cilën dramë, që të ka lënë mbresa, ty personalisht. A mendon se të njëjtën përshtypje ka pasur edhe publiku që të ka ndjekur në shfaqje? Ai mu përgjigj me shkrim, më dërgoi sms: ‘Pinim kafe për 10 minuta para se të fillonim punën në Teatër me një të njohur. Hyra në kafe, e përshendeta po për çudi më shikoi me neveri dhe me ktheu shpinën. Unë u shokova. E përshëndeta përsëri, po i njëjti ragim nga ana e tij. O Zot thashë me vehte, mos kam bërë ndonjë faj? E përshëndeta përsëri dhe u kthye nga unë e më tha: ‘Ti Danieli tek ‘Gjaku i Arbërit’ ishe figura më e ‘urryer’, nuk due me të pa me sy dhe …..me uroj për rolin duke më përqafuar. Edhe roli i profesorit tek ‘Big Brother1’ ka qenë ndër rolet që faleminderit, spektatorëve e kanë vlerësuar shumë. Cdo aktor dashuron shumë role, por unë përmenda këta dy role. Është publiku që vlerëson aktorin’.
Rolet në teatër empatia dhe inteligjenca emocionale.
Nëse e analizojmë semiotikisht, Agron Dizdari ndërton dy figura me kode shenjore shumë të ndryshme. Janë pikërisht ‘kodet shenjore’, që kanë lënë gjurmë tek publiku dhe vetë aktori Agron Dizdari ka punuar shumë me rolet në rrafshin artistik dhe psikologjik. Edhe sot mbas shumë vitesh, ai flet me shumë emocione për momentin kur i është besuar roli i Danjelit nga regjizori i mirënjohur shkodran Serafin Fanko. Rolet që ka luajtur kanë lënë gjurmë në vetëdijen e aktorit Agron Dizdari. Rëndësia e një roli në teatër qëndron në mënyrën se si ai i jep jetë një personazhi, e çon përpara historinë dhe i ndihmon audiencat të lidhen me emocione të thella njerëzore dhe perspektiva të ndryshme. Çdo rol, qoftë një protagonist kryesor apo pjesë e grupit, i shërben një qëllimi të qartë në skenë. Të luash një rol teatri ndikon thellësisht te aktori duke ndërtuar empati, duke zgjeruar inteligjencën emocionale, duke ndryshuar gjendjet njohëse dhe duke kërkuar ‘cenueshmëri personale’.
1. Danieli te Gjaku i Arbrit (Fadil Kraja)
-Shenja e identitetit kombëtar – Danieli nuk mishëron kujtesën historike dhe lidhjen me Arbërinë. Danjeli nuk është Arbër, ai është fqinj i arbërve. Ai mundohet të shfrytëzojë ndjenjat e arbërve. Danjeli kërkon të martohet me një vajzë arbëreshe nga një familje e spikatur për atdhetari për të ndikuar negativisht tek e ardhmja e Arbërisë. për të realizuar qëllimet e tija sunduese dhe ekspansioniste.
-Kodi i sakrificës – Veprimet e tij nuk simbolizojnë flijimin për atdheun, por kodin e mashtrimit për të sunduar Arbërinë.
-Simbol i rezistencës – Danjeli kërkon të shkatërrojë qëndresën, rrezistencën e arbërve dhe mbijetesën e vlerave shqiptare.Veprimet e Danjelit simbolizojnë mashtrimin për të realizuar qëllimet e tija shoviniste. Historia ka treguar të vërtetën duke zhveshur dhe pseudoaleatët nga qëllimet e tyre të mbrapshta. Një arbër ka gjak arbëri. Prandaj me shumë qëllim dhe vizion artistik, dramaturgu Fadil Kraja e ka titulluar dramën: ‘Gjaku i Arbërit’.
2. Profesori te Big Brother1
-Shenja e autoritetit intelektual – Profesori paraqitet si figurë e dijes dhe arsyes.
-Kodi i komunikimit – Gjuha e qetë dhe argumentuese e dallon nga banorët e tjerë.
-Kontrasti me spektaklin – Figura e tij përfaqëson kulturën përballë logjikës së Reality Show-t.
-Simbol i etikës – Përpiqet të ruajë dinjitetin dhe normat morale në një mjedis konfliktual.
-Mesazhi semiotik – Roli shenjon përplasjen midis intelektualizmit dhe kulturës së spektaklit. Nëse krahasojmë dy personazhet, Danieli është shenjë e mashtrimit. Profesori është shenjë e arsyes, kulturës dhe etikës. Në të dy rolet, Agron Dizdari përdor gjuhën, qëndrimin trupor dhe tonin e zërit për të krijuar kuptime që shkojnë përtej fjalëve, por funksioni semiotik i secilit personazh është i ndryshëm. Njëri është mashtrues dramatik, tjetri figurë intelektuale në një realitet mediatik.
Aktori Agron Dizdari dhe raportet me teatrin ballkanik dhe europian dhe e vërteta psikologjike e personazhit.
Krahasimi i aktorëve kombëtar shqiptar dhe lokal, me arritjet teatrore në rajon dhe europë duhet të jetë i drejtë dhe të marrë parasysh historinë e Shqipërisë. Nëse flasim për aktorë si Agron Dizdari, mendoj se ai nuk është më pak i aftë artistikisht se shumë aktorë të njohur të Ballkanit. Ajo që ka qenë më e kufizuar ka qenë sistemi teatror dhe mundësitë për shkëmbim ndërkombëtar, sidomos gjatë periudhës së izolimit komunist. Për dekada, teatri shqiptar pati kontakte shumë të kufizuara me zhvillimet bashkëkohore evropiane dhe repertori u ndikua nga kërkesat ideologjike. Nga ana tjetër, teatri shqiptar ka krijuar një traditë të fortë të realizmit psikologjik. Aktorë si Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Margarita Xhepa, Tinka Kurti, Merita Smaja, Agron Dizdari dhe të tjerë kanë ndërtuar personazhe me thellësi emocionale që mund të krahasohen denjësisht me interpretues të vendeve të Ballkanit. Ata shpesh kanë kompensuar mungesën e teknologjisë dhe buxheteve me cilësinë e interpretimit. Në krahasim me teatrin evropian, në cilësinë e aktorit, Shqipëria ka pasur shumë figura të nivelit të lartë. Teatrot e Evropës Perëndimore kanë pasur përparësi të dukshme në infrastrukturë, financim, festivale ndërkombëtare dhe qarkullim artistësh. Për Agron Dizdarin do të thosha se ai i përket brezit të aktorëve që do të mund të interpretonin me dinjitet edhe në skena ballkanike dhe evropiane. Arti i tij mbështetet në të vërtetën psikologjike të personazhit, një cilësi që vlerësohet në çdo traditë teatrore.
Edhe pse në pension Agron dizdari vazhdon aktivitetin artistik. Në këtë kontekst duke i uruar edhe 100 vite të mbara, kreative në jetë e teatër, po citoi një thënie për pensionin e aktorit të teatrit: ‘Pensioni ndryshon vetëm një kontratë me një teatër. Kreativiteti mbetet gjallë brenda artistit’. Si përfundim po e mbylli shkrimin me dy thënie për dramën ‘Gjaku i Arbërit’. Gazetari i R.T.SH. Shkodra Mario Gjini shkruan: ‘Drama që la gjurmë në Shkodër, “Gjaku i Arbrit” dhe roli i paharruar i aktorit Agron Dizdari’. Në vitin 1981, drama “Gjaku i Arbrit” e shkrimtarit Fadil Kraja solli në skenën e teatrit “Migjeni” një tablo të fuqishme të virtyteve shqiptare. Patriotizmi, besa, nderi e burrëria u ngjitën në skenë si mesazh i rëndësishëm i kohës. Mes atyre që spikatën ishte edhe aktori Agron Dizdari, i cili me fuqinë e interpretimit i dha jetë një prej roleve më të veçanta të karrierës së tij.. (Mario Gjini RTSH Shkodra 2025). Kurse dramaturgu Fadil Kraja në një intervistë shprehet për dramën: “Gjaku i Arbërit”, drama për shqiptarët që e duan miqësinë me fqinjët dhe sakrifikojnë për këtë miqësi. (Gazeta Telegraf Maj 2013).



