SPAK-u ka vendosur nën sekuestro një numër të konsiderueshëm pasurish në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-it, një nga operacionet më të mëdha të sekuestrimit të pasurive, me një vlerë të përbashkët që arrin rreth 40 milionë euro. Në qendër të kësaj çështjeje janë ish-drejtoresha Mirlinda Karçanaj dhe biznesmeni Ergys Agasi, për të cilët Prokuroria e Posaçme dyshon për përfshirje në një skemë të gjerë korrupsioni, manipulimi tenderësh dhe përfitimi të paligjshëm fondesh publike. SPAK në një njoftim për shtyp shkruan se po kryen hetime paraprake për veprat penale: “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Korrupsioni pasiv I funksionarëve publikë” I kryer në bashkëpunim më shumë se një here, “Korrupsioni pasiv I funksionarëve publikë” I kryer në bashkëpunim më shumë se një here, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, të parashikuara nga nenet 110, 170/b, 244, 259, 258, 287, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Në rastin e Mirlinda Karçanajt, SPAK-u ka sekuestruar disa pasuri të paluajtshme dhe financiare, mes tyre apartamente në Tiranë, një banesë në rrugën e Kavajës, një pronë në zonën e Qerretit, si dhe një sipërfaqe toke në Sauk. Po ashtu, janë bllokuar edhe një automjet dhe disa llogari bankare. Sipas hetimeve, një pjesë e këtyre pasurive dyshohet të jetë përfituar në mënyrë të tërthortë përmes personave të lidhur me të, duke ngritur dyshime për fshehje të origjinës reale të tyre dhe përfitim të mundshëm nga skema të dyshuara korruptive.
Ndërkohë, pjesa më e madhe e pasurive të sekuestruara i përket Ergys Agasit, i cili rezulton me rreth 27 prona të bllokuara. Ato përfshijnë sipërfaqe të mëdha toke, pyje dhe ndërtesa në Petrelë, Lundër, Durrës dhe Vlorë, apartamente, garazhe dhe truaj në zona të ndryshme, si dhe një automjet luksoz Land Rover Defender. Në mesin e aseteve të sekuestruara përfshihen gjithashtu kompani biznesi dhe llogari bankare në disa institucione financiare.
Hetimet e SPAK-u tregojnë se këto pasuri mund të jenë krijuar përmes një skeme më të gjerë abuzimi me tenderët publikë të AKSHI-it, ku dyshohet për përfshirje të një rrjeti të strukturuar personash dhe kompanish. Sipas dosjes hetimore, përfitimet financiare janë kanalizuar përmes transaksioneve të ndryshme dhe marrëveshjeve të lidhura me kontrata publike, duke çuar në akumulimin e pasurive të konsiderueshme.



