Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve

0

Një gjykatë federale në SHBA ka shpallur të paligjshëm vendimin për mbylljen pothuajse totale të Voice of America, duke urdhëruar rikthimin e menjëhershëm në punë të rreth 1,000 punonjësve dhe rifillimin e aktivitetit të plotë të këtij institucioni.

Vendimi është marrë nga gjyqtari federal Royce C. Lamberth, pjesë e Gjykatës së Qarkut për Distriktin e Kolumbias në Washington D.C., i cili konstatoi se tentativa për “shuarjen” e Agjencisë Amerikane për Median Globale, U.S. Agency for Global Media (USAGM), ka shkelur ligjin federal administrativ.
Në vendimin e tij, gjyqtari thekson se autoritetet kanë vepruar në mënyrë arbitrare dhe të pajustifikuar, pa ndjekur procedurat ligjore dhe pa dhënë argumente të mjaftueshme për një ndërhyrje kaq drastike. Sipas tij, pezullimi masiv i punonjësve dhe reduktimi ekstrem i operacioneve përbën në praktikë një mbyllje të institucionit, e cila nuk mund të kryhet pa respektuar ligjin.
Gjykata urdhëroi jo vetëm rikthimin e stafit, por edhe ndalimin e çdo veprimi tjetër që synon kufizimin apo mbylljen e aktivitetit të VOA-s, duke e cilësuar ndërhyrjen si tejkalim të kompetencave nga ana e autoriteteve përgjegjëse.
Ky vendim vjen pas masave të marra në fillim të vitit 2026 për të ulur në minimum funksionimin e VOA-s, një hap që u kundërshtua fort nga punonjësit dhe u çua në gjykatë. Me këtë vendim, drejtësia amerikane i jep një goditje të fortë përpjekjeve për të ndërhyrë në një prej institucioneve më të rëndësishme mediatike të SHBA-së.

“Zëri i Amerikës”, i themeluar gjatë Luftës së Dytë Botërore, konsiderohet një nga instrumentet kryesore të SHBA-së për informimin ndërkombëtar, veçanërisht në vendet ku media e lirë është e kufizuar. Për këtë arsye, tentativa për mbylljen e tij u pa si një zhvillim i rrezikshëm për rolin e medias publike.

Vendimi i gjyqtarit Lamberth shihet si një precedent i rëndësishëm që rikujton se edhe në SHBA, vendimet e pushtetit ekzekutiv kanë kufij dhe mund të rrëzohen nga gjykata kur bien ndesh me ligjin.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu