Përjashtimi i gazetarëve nga konferenca e Ramës, reagon Shoqata e Gazetarëve të Vlorës

0

Shoqata e Gazetarëve të Vlorës ka reaguar pas konferencës për shtyp të mbajtur nga kryeministri Edi Rama, duke dënuar sjelljet dhe deklaratat që, sipas saj, cënojnë standardet e komunikimit institucional me median dhe respektin ndaj punës së gazetarëve. SHGV inkurajon një komunikim institucional të matur, të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës me median, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së një dialogu profesional dhe konstruktiv në interes të informimit të publikut.

Reagimi i Shoqatës ë Gazetarëve të Vlorës:

Shoqata e Gazetarëve të Vlorës (SHGV) ka ndjekur me vëmendje konferencën për shtyp të zhvilluar nga Kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama, gjatë së cilës u evidentuan disa situata që kanë ngjallur shqetësim në komunitetin e gazetarëve lidhur me standardet e komunikimit institucional me median.

Në këtë kuadër, SHGV shpreh rezervat e saj për vendimin për përjashtimin e gazetares Ambrozia Meta nga konferencat për shtyp, duke theksuar se akses i barabartë i gazetarëve në aktivitetet publike është një element i rëndësishëm për garantimin e transparencës dhe informimit të publikut.

Po ashtu, Shoqata vlerëson se situata e krijuar gjatë ndërveprimit me gazetarin Isa Myzyraj nuk kontribuon në një klimë të qetë dhe konstruktive komunikimi mes institucioneve dhe medias, e cila është e domosdoshme në një shoqëri demokratike.

SHGV gjithashtu nënvizon se përdorimi i gjuhës me tone denigruese apo etiketimet ndaj mediave mund të ndikojnë negativisht në klimën e dialogut publik dhe në marrëdhëniet mes institucioneve dhe gazetarëve.

Çdo pretendim për shkelje ligjore nga ana e mediave duhet të trajtohet nga institucionet përkatëse, në përputhje me ligjin dhe procedurat e përcaktuara.

Shoqata e Gazetarëve të Vlorës rithekson se liria e medias dhe e shprehjes janë parime themelore të një shoqërie demokratike, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në këtë frymë, SHGV inkurajon një komunikim institucional të matur, të respektueshëm dhe gjithëpërfshirës me median, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së një dialogu profesional dhe konstruktiv në interes të informimit të publikut.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu