Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se vendi i tij po monitoron nga afër bashkëpunimin ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, duke pretenduar se Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga kjo aleancë.
Në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), Vuçiç tha se autoritetet serbe po ndjekin me kujdes zhvillimet në fushën e mbrojtjes në rajon.
“Ata po presin një moment të favorshëm. Ne po përgatitemi për sulmin e tyre,” u shpreh presidenti serb.
Vuçiç iu referua deklaratës trepalëshe për bashkëpunimin në mbrojtje të nënshkruar nga Kroacia, Shqipëria dhe Kosova në Tiranë më 18 mars 2025, e cila synon forcimin e bashkëpunimit në siguri dhe rritjen e ndërveprimit ushtarak mes tre vendeve.
Ai theksoi gjithashtu se Serbia ka investuar në modernizimin e forcave të saj të armatosura, duke përmendur edhe sistemet raketore të avancuara që, sipas tij, kanë një rreze veprimi deri në 400 kilometra.
Ndërkohë, Vuçiç deklaroi se Serbia ruan marrëdhënie të mira me NATO-n, edhe pse vazhdon të ndjekë politikën e neutralitetit ushtarak.
Komentet e tij vijnë në një moment kur debatet për sigurinë dhe mbrojtjen në Ballkan janë intensifikuar, ndërsa vendet e rajonit kanë rritur bashkëpunimin ushtarak dhe investimet në mbrojtje.








