Shndërrimi i drejtësinë në një fushëbetejë politike!

0

Shkruan Zef Ndreka

Dalja e Berishës dje përkrah drejtësisë, është paradoksi më klasik i hipokrizisë politike, i veshur me petkun e mbrojtjes së saj.
Kur e shikon në konferencë shtypi non grat-ën apo në deklarata publike këtë figurë të akuzuar për korrupsion, i sanksionuar dhe i identifikuar gjerësisht si pengmarrësi historik i demokracisë shqiptare, si minues i drejtësisë dhe del në sulm në emër të drejtësisë, problemi injorohet nga ajo që thotë dhe lind dilema tjetër që pse e thotë pikërisht ai, sikur të mos kishte zëdhënës!
Shtrojmë pyetjet:
Çfarë morali është ky?
Çfarë do më tej ky njeri që për vite të tëra minoi sistemin e drejtësisë, që e përdori atë si mburojë personale dhe shkop politik, që prodhoi një kulturë pandëshkueshmërie, presioni dhe frike mbi gjyqtarët e prokurorët?
Të flasësh përpara kamerave nga shqiptarët sot për “drejtësi që nuk kursen askënd”, ndërkohë që ke bërë gjithçka për ta kapur, deformuar ose vonuar drejtësinë dhe ndërkohë përpiqesh të zvarritësh procedurat që të prekin personalisht, është një cinizëm i pastër politik, është mashtrim publik dhe jo bindje morale.
Po pse e bën këtë Berisha?
Sepse është në mbrojtje, jo në ofensivë morale dhe me këto kërkon të relativizojë fajin, të krijojë idenë se të gjithë janë njësoj para ligjit dhe të shndërrojë drejtësinë në një fushëbetejë politike, jo institucionale.
Në fakt, deklarata e tij se “drejtësisë nuk i shpëton askush” është e saktë në parim, por e pavlefshme në gojën e Berishës, sepse bie ndesh me gjithë veprimtarinë e tij politike.
Dhe ky nuk është moral drejtësie, por morali i mbijetesës politike.
Por historia shqiptare e ka mësuar tashmë se ata që e shkatërruan drejtësinë, janë gjithmonë të parët që betohen në emrin e saj, sepse ju ka troket tashmë në derë.
Të flasë sot Berisha për drejtësi, pasi e ka minuar atë për vite me radhë, duket se nuk është penduar aspak dhe e gjitha tregon frikë.
Kur i akuzuari Berisha na shfaqet i veshur si mbrojtës i drejtësisë, në këtë rast kemi të bëjmë me amoralitet dhe me hipokrizi eksteme politike.
Është e vertetë se drejtësisë nuk duhet tii shpëtojë askush dhe pikërisht për këtë arsye, asnjë nuk ka të drejtë ta përdorë si alibi për të shmangur përgjegjësitë.
Drejtësia nuk ka nevojë për betime nga ata që e shkatërruan, por për guximin për tu përballur me të.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu