Shkruan Zef Ndreka
Kjo fotografi e shkrepur vite më parë në një nga ambientët e Hotel Tirana Internacional, për mua ka një domethënie të veçantë, sepse sjell pranë dy personalitete të rrallë të kombit shqiptar, Adem Demaçin dhe At Nikolla Markun.
Adem Demaçi, siç dihet tashmë nga të gjithë, ishte simbol i rezistencës dhe qëndresës së shqiptarëve në Kosovë, i quajtur “Mandela i Ballkanit”, i cili për dekada të tëra nuk u përkul para padrejtësive, duke mbetur zëri dhe ndërgjegjja e lirisë.
At Nikolla Marku, nga ana tjetër, ishte prifti atdhetar që në Shqipëri u bë shembull i besimit të pastër dhe i dashurisë për kombin, duke e mbajtur Kishën e Shën Kollit në Elbasan si një vatër ku feja dhe shqiptaria bashkoheshin.
Të dy, secili në anën e vet të kufirit, ishin figura që ngjallnin respekt dhe frymëzim, sepse mbi gjithçka vendosnin atdheun dhe njerëzit e tyre. Prania e tyre në këtë foto transmeton një mesazh të qartë se kombi shqiptar ka pasur dhe do të ketë gjithmonë njerëz të mëdhenj që sakrifikojnë për unitetin dhe dinjitetin tonë.
Një kujtim i vyer ky për mua, që sot kthehet në homazh për dy jetë të shkrira në shërbim të kombit.