Donald Trump “blindon” SPAK, garancia amerikane mban emrin e Colleen Hyland

0

Drejtësia shqiptare ka parë shumë ndërhyrje, shumë premtime dhe shumë prapaskena, por këtë herë loja ka marrë një kthesë krejt tjetër. Colleen Hyland, një figurë me peshë në politikën amerikane për Ballkanin, vjen si garancia e radhës se SHBA-ja nuk ka ndërmend të lejojë që SPAK-u të kthehet në një zyrë noteriale për politikanët shqiptarë. Dhe që loja të bëhet akoma më e vështirë për ata që ëndërrojnë kthimin në kohën e pandëshkueshmërisë, Britania e Madhe vazhdon të jetë në të njëjtën linjë me amerikanët. Duket se politikanët shqiptarë nuk kanë më ku të shkojnë, përveçse të përqafojnë fatin që po u vjen me pako të ambalazhuar nga Perëndimi: ose bëni drejtësi, ose bëni gati valixhet!

Ja kush është shefja e re e Ballkanit

Alexander Kasanof, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Ballkanin Perëndimor, pritet të zëvendësohet në këtë detyrë nga Colleen Hyland, drejtoresha aktuale e Zyrës për Evropën Jugperëndimore. Hyland është një diplomate karriere, e cila ka punuar në misionet diplomatike amerikane në Bagdad, Kabul dhe Prishtinë, ku ka qenë zëvendës ambasadore nga viti 2016 deri në vitin 2019. Ajo flet gjuhën shqipe dhe ka shumë përvojë në luftën kundër korrupsionit. Në këtë mes duhet të theksojmë se në shtator të vitit të kaluar, Hyland zhvilloi një takim me kreun e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Altin Dumani.

Zyrtarja amerikane i garantoi asokohe kryeprokurorit special se “do të ketë mbështetjen e palës amerikane, për vijimin e reformës në drejtësi”. Përmes një publikimi në X, ishte ambasada amerikane në Tiranë, e cila shpërndante detaje nga takimi. “Znj. Hyland përsëriti mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara për SPAK-un dhe institucionet e pavarura të Shqipërisë, duke theksuar rolin vendimtar të reformës në drejtësi në avancimin e rrugëtimit të Shqipërisë drejt aspiratave të saj euroatlantike”, garantoi ajo gjatë takimit. Gjatë një konference të zhvilluar për Ekonominë në Ballkanin Perëndimor, Hyland kishte theksuar se problemi i korrupsionit në Shqipëri duhet “të tejkalohet me ndihmën e Prokurorisë së Posaçme”.

Nëse Shqipëria do të mundte korrupsionin, ajo ka thënë se vendi gjithashtu do të integrohej menjëherë në Bashkimin Evropian. “Korrupsioni është një çështje e madhe jo vetëm në Shqipëri apo Ballkan. Ky problem duhet tejkaluar me ndihmën e SPAK-ut. Nëse vendi mund korrupsionin do të integrohej në Bashkimin Evropian dhe do të thithte investime. Duhet të mbani ne kontroll korrupsionin dhe ndryshmet ligjore që bëni duhet të jenë përputhje me BE-në. Ne si SHBA do ju mbështesim”, ka thënë ajo.

Mbështetja nga Londra

Në këtë vorbull zhvillimesh, edhe Londra ka vendosur të lërë gjurmën e saj. Në një deklaratë në OKB mbi përparimin e Shqipërisë, Mbretëria e Bashkuar bëri të qartë se e sheh SPAK-un si një bastion të pavarësisë dhe luftës kundër korrupsionit. Në vend që të përdorte fjalë të buta dhe diplomatike, Londra kërkoi që Prokuroria e Posaçme të vazhdojë të godasë të korruptuarit me të njëjtën forcë, pa bërë lëshime për askënd. Duke e përshëndetur progresin e bërë, britanikët paralajmëruan se nuk do të tolerojnë asnjë tentativë për të penguar punën e drejtësisë. Shkurt, mesazhi ishte i qartë: Londra është në të njëjtën linjë me Uashingtonin dhe kushdo që mendon se mund ta shkatërrojë reformën në drejtësi, le të mendohet dy herë.

Alarm te Berisha dhe Rama

Mbështetja e fortë ndërkombëtare kanë sjellë alarm në dy kampe: tek “non grata” Sali Berisha, i cili shikon gjithnjë e më pak mundësi për të shpëtuar nga makthet e dosjeve të hapura, dhe tek Edi Rama që bashkë me qeverinë e tij është zhytur dhe kapur mat në përgjime, afera dhe korrupsion. Deri dje, Rama dhe Berisha luanin teatër politik duke sulmuar njëri-tjetrin në publik dhe duke ndarë të njëjtin hall në prapaskenë: frikën nga SPAK. Ndërkohë që Berisha është zënë në kurthin e vet me një dosje që vetëm sa shtohet, Rama nuk di më se si të lundrojë mes reformës në drejtësi dhe aleancave të tij politike që i kërkojnë “garanci” se nuk do të përfundojnë përballë gjykatës. Me ardhjen e Hyland dhe me shtimin e presionit nga Londra, të dy liderët historikë të politikës shqiptare po e kuptojnë se nuk kanë më luksin të luajnë lojën e tyre të vjetër. Plani i tyre për të shkrirë SPAK pas zgjedhjeve të 11 majit mesa duket do të dështojë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu