Teksa ndodhet pas hekurave bashkë me djalin e saj, Rozeta Dobi shprehej se kishte urrejtje për punëdhënësen e saj Alda Klosi, ish-shefe kabineti e ish-zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj. Ky është një ndër detajet që thuhet në dosjen e prokurorisë, të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala.
49-vjeçarja akuzohet se ka vjedhur mbi 400 mijë euro dhe bizhuteri në banesën e Klosit, më 15 dhjetor të vitit të kaluar. Kjo deklaratë nxjerrë zbuluar Alda Klosin, e cila ka deklaruar se i ka vjedhur vetëm 120 mijë euro, gjoja para të xhaxhait të saj.
Ngjarja ndodhi në Rrugën e Kosovarëve, në një banesë ku Klosi e kishte marrë me qira prej 2 muajsh.
“Në datë 15.12.2022 i kërkova djalit tim shtetasit Havier Dobi të më dërgonte me makinë tek banesa e Aldes. Gjatë kontrollit ka vënë re se në dhomën e gjumit në dollap ajo mbante një kasafortë e cila ishte në ngjyrë gri.
Pasi e ka hapur atë brenda saj ka konstatuar se ndodheshin shuma monetare të prerjeve 500,200 euro dhe 100 dollar, në moment që i ka parë këto shuma parash nga urrejtja që kishte krijuar ndaj shtetases Alda Klosi i ka marrë paratë dhe është larguar më pas me mjetin e djalit të saj.
Deklaron se shuma e parave të gjetura në banesën time është nga shuma e lekëve që ka marrë në banesën e shtetases Alda Klosi.”, thuhet në dosje.
Në dosjen e prokurorisë përcaktohet qartë dhe shuma e parave që janë gjetur në banesën e 49-vjeçares, ndërsa bëhet fjalë për një shumë rreth 400 mijë euro, 8500 dollarë dhe bizhuteri.
“Mbi bazën e dyshimeve se në banesë fshiheshin edhe sende të tjera, është kontrolluar me imtësi banesa e të dyshuarve dhe në tubin e aspirimit janë gjetur të fshehura një shumë prej 404, 800 euro, 8 500 Usd dhe një sasi e konsiderueshme bizhuterish, të cilat dyshohen se iu përkasin edhe personave të tjerë ku Rozeta Dobi ka punuar si pastruese.”, thuhet në dosje.






