Kryeministri kerkon pranga për gjyqtarët që s’kanë kaluar veting-un

0

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar gjyqtarët që nuk kanë kaluar procesin e vetingut. Nga lagja e re në Ndroq të Tiranës, ku pritet që të zhvendosen në banesat e reja të rindërtuar pas tërmetit 74 familje, kryeministri Edi Rama hodhi ditën e djeshme akuza mbi gjyqtarë që nuk kanë kaluar vetingun, duke thënë se ata po mbajnë peng procesin e rindërtimit në disa zona, konkretisht në Laç dhe në Kombinat.

Kreu i qeverisë, tha se në lagjen e re që po rindërtohet në Laç, një gjyqtar ka marrë peng procesin e rindërtimi, por pa përmendur emër.

“Njëri ka marrë peng vazhdimin e punës në Laç. Për një person. Gjykatësi i jep sigurimin e padisë njërit që ka një dyqan. Ne nuk ndërhyjmë dot. Ky është sistemi që kemi zgjedhur ne. Ky gjykatësi ka fjalën e fundit.

Siç ndodh në Kombinat. Prandaj ne ndërkohë që te 5 Maji kemi ecur në Kombinat kemi ecur më avash se duhet të presim vendimin e gjykatave.

Ti merr përsipër të rindërtosh shkollën simbol të arsimit në Tiranë për ta bërë shkollën simbol të rindërtimit. Të çojnë në SPAK për një VC. Duhet të presësh që të bëhen procedurat dhe historia. Këto janë pengesa të natyrës objektive.

Aty ku nuk kishim gjëra të tilla njerëzit janë futur nëpër shtëpia. Na ndodhi edhe këtu në fillim. Një që pretendon kap ça të kapësh.

Njerëzit duhet ta kuptojnë pse ndodh. Procesi i rindërtimit ka ecur paralele me një proces të tërë falsifikimesh, korruptimesh të gjykatësve KÇK që janë të krimbur dhe e dinë që nuk do e kalojnë vetingun. Ne nuk i ndahemi kësaj pune deri kur familja e fundit të marrë shtëpinë”, u shpreh Rama”, tha Rama.

Rama: Na akuzojnë se mendojmë për oligarkët

Nga ana tjetër, kryeministri u shpreh se programi i rindërtimit, është prova se kjo qeveri nuk punon për të pasurit. Duke u ndalur tek prishja e banesave në lagjen 5 Maj, Rama tha se ato i kishin ndërtesat pa leje, ndërsa askush nuk po i hedh në rrugë, por do t’u japë shtëpi të reja.

“Na akuzojnë se jemi një qeveri që mendon për të pasurit për oligarkët. Por vetëm programi i rindërtimit pa llogaritur të tjerët që është prova që mendohet për të kundërtën, për t’ju dhënë shtëpi familjeve.

Po të ishim një qeveri që mendon për të pasurit dhe që nuk sheh me vëmendje të vazhdueshme ato që kanë më pak, nuk do të ndodhte, sepse nuk do të kishte shans të ndodhte që dhe ato që i kanë pa lejë shtëpitë, t’ju prishet shtëpia po t’u jepet shtëpi e re. Keni parë tek 5 Maj, që edhe shtëpinë e japin, por votën se ndërrojnë, ngriti një furtunë sikur po prishnim shtëpitë e varfërve.

Ishin shtëpi pa leje, pa kurrfarë respekti për të tjerët rreth e rrotull dhe jo vetëm që përmbyten historikisht por përmbysin dhe të tjerët. Nga ana tjetër ne nuk i prishëm ato shtëpi, për ti hedhur në rrugë këto njërës, për t’i çuar në shtëpi të reja”, tha Rama.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se shtëpitë ishin të palegalizuara dhe tashmë janë legalizuar.

“Ne do të respektojmë çdo njeri në të drejtën e tij të jetojë, por ama do të respektojmë mbi të gjitha të drejtën e qytetit për të ecur përpara, projektet që akomodojnë edhe ata që janë nevojtarë nga tërmeti, edhe ata që janë banorë, të cilët do t’i marrin metrat katrorë njësoj siç i kishin. I kishin të palegalizuara, të paurbanizuara, sot do t’i kenë të urbanizuara dhe të legalizuara”, tha ai. /Sidorela Braçja

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu