FBI -ja shqiptare BKH duhet të shpallet në kërkim!

0

Shkruan Anri Bala

Spakista jeni kujtuar pak vonë ta bëni Ramën dhe qeverinë Anëtarë të Grupeve të Bashkuara Vullnetare, sepse mbani pak radhën…

Kallëzoni njëri tjetrin… koleg, prokuror e gjyqtarë, pasunar e milioner të afirmuar vetëm me një çekiç druri, që i kanë pasuritë “mullar” dhe askush nuk e di të thotë se ku i kanë marrë.

Nxirreni Byron Kombëtare të Hetimit nëse ekziston, se ka humbur bashkë me drejtuesen e çuditshme të kësaj strukture, që të lë me gojëhapur me detyrat që ka kryer, që nga hetuese e sistemit komunist në grahmat e fundit e deri tek drejtore e zv. drejtore e strukturave më të larta të policisë, pa asnjë rezultat konkret, përveçse një akuzë për korrupsion në 2018 nga Edi Paloku dhe si njollë demokrate… vajza e një drejtuese të lartë të PPSH në qytetin e Pogradecit dhe Tepelenës.

Për të qenë të qartë, se ndoshta gabojmë, a mund të na shpjegoi kush… ku u zhduk BKH-ja? Byroja e cila na pret ne të kallzojmë sikurse kallëzon Monika Kryemadhi, që qytetarët e presin të përgjigjet si e kallëzuar, apo Sali Berisha, që duhet të ishte i kallëzuar dhe i provuar me fakte e prova për të gjitha dëmet që i ka bërë vendit, por edhe Meta si bashkëpunëtori i tij, e me radhë deri tek Rama?

Ndaj BKH është harruar, madje askush nuk e di a ka ekzistuar ndonjëherë! Ultimatumi kallëzoni, kallëzoni, kallëzoni i Krajës, e bënë më të dyshimtë misionin, funksionin dhe ekzistencën e kësaj strukture që mori emrin e FBI-së shqiptare.

Prokuroritë, organet e hetimit janë të specializuara të ndjekin, vëzhgojnë, hulmutojnë, kontrollojnë veprimet dhe veprimtaritë kriminale të çdo individi apo grupi që mund t’i sjellin dëme shoqërisë, por ata u vunë në gjumë dhe u lanë në hije, duke u marrë vetëm me çeshtje më tepër se të rëndomta.

Kanalet, peshqit, gasonieren e Bashkim Dedjas, hakmarrjen e humbësve të tenderave ndaj fituesve, pa argumentuar dhe njoftuar në asnjë gjykim se sa ishte shuma që i’u është përvetësuar taksapaguesve shqiptarë apo hetim për çdo gjë, edhe pse jashtë kompetencave dhe funksioneve të kësaj strukture, e kanë kthyer SPAK dhe BKH në një zhgënjim të madh të Reformës në Drejtësi.

Diktatura e proletariatit ishte e “sigurtë”, sepse e mbronin “spiunët popullor”, të cilët aderonin si AGBV me pagesë 80 lek në muaj apo vullnetarisht, e tani fatkeqësisht ne nuk mund ta mbrojmë demodrejtësinë, kur populli paguan me shifra të dhimbshme një turmë “drejtësibërësish në tentativë”, që nuk duan të bëjnë asgjë… sepse nuk duan.

Nuk mund t’i imitojmë AGBV, sepse ata ishin “syri dhe veshi” për të ruajtur qytetarët nga provokatorët dhe tradhëtarët, sepse jemi të provokuar dhe të tradhëtuar nga hiçdrejtësia.

Ndaj, deklaratat se akoma organet hetimore funksionojnë me kallzime si në kohë të diktaturës dhe jo me hetime, prova dhe fakte për të bërë drejtësi, duket si një lajthitje e rëndë e një personi, që ka ardhur nga ai sistem, por që e ka frikësuar sistemi i ri dhe kodoshët e vjetër të shitblerjes së drejtësisë!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu