Ambasadore, “fshatarët” duan në burg 4 Klanet Mafioze

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Shqiptarët duan “Peshqit” e Mëdhenj. Është kërkesë dhe pritshmëri emergjente që kjo fjali e shkurtër, të mos përdoret gjatë si gënjeshtër, si “varkë” ku “kalojnë lumin” politikat e diplomacitë, si  “sprajt për sytë e skllevërve” që shqyejnë rrjetet sociale duke derdhur vrerë, por s’kanë forcë të “grisin” rrjetën e mafies që i ka mbështjellë prej 30 vitesh.

Ta diskutojmë thjeshtë, siç duan shqiptarët e thjeshtë.

Secili  i njeh dhe pret arrestimin e kapove të 4 Klaneve Mafioze që komandojnë 20 familjet kriminale. Kjo është aq e vërtetë, sa askush, as kriminelët vetë, s’na thonë se nuk po flasim si përpara Shën Pjetrit.

Kjo është “sëmundja”. Se të gjithë shtiren më katolikë se Papa. Ja, kryeministri, rrëfehej para Belinda Ballukut, Arben Ahmetajt, Erion Veliajt, Elisa Spiropalit, Ilir Beqajt, Damian Gjiknurit, djalit të Aqif Rakipit, Orlandos me ‘non grata’ si Saliu, sikur është përpara Shën Pjetrit.

Përcjell mesazh të rremë.

Thotë se s’ka përfituar asnjë dollarë mbi rrogën, se është besimtar, ortodoks, katolik dhe mysliman. U varros në një “foltore” hajdutësh si mysliman. Mori veç dy metër tokë e iku  lakuriq, siç kishte dalë në një plazh të Parisit kur ishte refugjat fukara, i sapo liruar nga burgu si hajdut e trafikant ikonash kishtare.

Pasi vdiq, rrobat e ç’pati ja fali fukarait Damian Gjiknuri.  Ikonat e Kishës Ortodokse, shumicën i kishte shitur e tjerat groposur në një Saraj me të grabitur nga Surreli i Toptanëve.

Askush nuk e beson as e kupton Edi Ramën këtej në Tokë.

Është Dreqi vetë! Pasuritë i ka ndarë në të tjerë, si Saliu, Fatosi dhe Iliri. Meqë Iliri ka shkalluar fare, modeli i tij i pëlqen. Shumëkush e mori për “trim” Presidentin Meta, kur u betua në shpirt të Petrit Vasilit se para se të shkoi tek Shën Gjykatësi, do bëjë një xhiro nga Shën Pjetri. Jo nga sheshi përmbi Romë, se atje ka shkuar e nuk ka vdekur , por nga i vërteti, nga ai që merr në pyetje shpirtrat e këqinj që kanë dhunuar shpirtrat e mirë.

Ky është ngërçi i shqiptarëve, pyetjet e pikëpyetjet.

Jo çdo shqiptar deshifron strategjinë e Amerikanëve, paçka se asnjëri s’ka nevojë të pyesë tjetrin, more di gjë ti, kush më vodhi mua?

Secili pra, e njeh hajdutin e vet. Ja ku janë Sali Berisha, Ilir Meta, Fatos Nano, Edi Rama dhe familjet e tyre biologjike, politike e kriminale, që janë pasuruar përmes sundimit shtypës e vjedhjes sy për sy, publikisht.

Edhe përtej Shqipërisë, në Ballkan, ku Amerika po dezinfekton për të pastruar hajdutët e kriminelët, shqiptarët s’janë aq dinamikë të deshifrojnë strategjitë. Ata kanë hallet e veta, duan  arrestimin e Kapove të 4 Klaneve mafioze.

Hajdutët i kemi si njëri si tjetri.

Ata të “Foltores” janë antiamerikanë e pasanikë. Kjo dihet botërisht. Edhe të tjerët njëlloj. Renditja është tjetër gjë, thjeshtë, vend një vendqëndrim, hapësirë për të sunduar  e vjedhur.

Për shkak të “kalendarit”, domethënë të pushtetit të gjatë, këta të “Rilindjes”, janë numri 2. Të Klanit 2 ngjajnë me të 4-shit, kurse ata të 1-shit, me të 3-shit.

Dyshi e katërshi kanë vjedhur e “vrarë”, njëshi e treshi kanë vrarë e vjedhur.

Kjo skemë mbase duhet hetuar.

Edhe pse në padije, mund të themi diçka në këtë linjë. Pistonat e makinës ruse  VAZ-2109 që i përdorte dikur mafia, punonin njëshi me treshin e dyshi me katërshin, si këta 4 Klanet Mafioze tonat, apo jo?

Nejse, le të rrimë këtu, në “makinën” e Rilindjes.

Rilindja e drejtuar nga Edi Rama konsiderohet Klan i rrezikshëm hajdutësh. Tepsinë e kanë bërë vrima-vrima, kanë ngritur në art grabitjen e pronave, fondeve publike, shtypjen e skllevërve, kanë lëshuar të lirë “timonin” e shtetit, që aksidentalisht ka nëntë vjet në drejtim një idiot që as makinën me katër rrota s’ka mësuar ende ta ngasë.

Vemi nga Klani i Presidentit.

Andej nga Ilir Meta s’ka as frymëmarrje as shpirt politik. Ka makinë që gulçon e ushtri antiamerikane që vret e vjedh ç’i del përpara. Ka fshehur Thesarin e Shtetit në Parajsa Fiskale, në Londër e deri në tunele nga Gjiri i Lalzit, Kodra e Diellit, Surreli e Mulleti. Pastaj, ka mbushur Vilat në Gji të Lalzit e Kodrën e Diellit me hashash, ka ndezur “tanket” ruse e ka qëlluar me “predha” mbi ambasadoren Yuri Kim, derisa Shtëpia e Bardhë e urdhëroi të mos dalë në asnjë betejë me Flamurin Amerikan. Po Presidenti e la Flamurin Amerikan dhe sot tund shaminë e bardhë të Gaz Pajës në Jalë, të Bes Kallakut në Londër dhe atë që fshinte djersët Saliu kur urdhëronte Adriatik Llallën të grisë bllokun 700 mijë eurosh që ja kishte vjedhur ministri i tij po hajdut, Dritan Prifti.

Përmbi këso krimesh, mirë është edhe të pyesim diçka?

A mendon dikush në këtë vend se ish kryeministri Fatos Nano nuk është Kapo i njërit prej 4 Klaneve Mafioze?

Thuhet se renditet numri 4 sepse ka 17 vjet që bën jetë luksi, frekuenton lojërat e fatit, nuk punon përveçse fshihet pas dy godinave, që ja lëshon me qira Edi Ramës e ca përralla të tjera idiote. Me pak fjalë, hileqar e tinëzar, pa shpirt social, politik apo ekonomik, por që shtiret e fshihet aq me elegancë, sa  s’bie në sy as kur komandon Klanin e vet Mafioz.

Pra Nano s’bie në sy i vetëm, por në grup po.

Çdo shqiptar është vjedhur dhe secili e ka kapur hajdutin e vet. Sa e thjeshtë është në kësi rastesh. Edhe kur s’kishte shtet fshati mblidhej dhe vendoste vetë. Edhe tashti fshati është në një mëndje. Nuk ka asnjë kundër. Kërkesa është e thjeshtë dhe ne kemi obligim ta sjellim me pikë e presje; Ambasadore, “fshatarët” duan në burg 4 Klanet Mafioze./Pamfleti

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu