Zyliha Miloti dhe Drande Xhaj, ‘Mjeshtret e mëdha’ kanë kënduar që fëmijë, sot nën regjinë e Arian Culiqit

0

Shkruan Qamil Gjyrezi

Po ndiqja një DVD promovusese të dy aktoreve të humorit, legjenda të estradës së Shkodrës Zyliha Miloti e Drande Xhaj.
Të dyja këta aktore humori kanë lënë gjurmë të pashlyera tek spektatori shkodranë e shqiptarë, me rolet që kanë luajtur në skenën e teatrit ‘Migjeni’ të Shkodrës e më tej.

Pavarësisht personalitit të ndryshëm artistik dhe njerëzorë, ata përngjajnë janë ‘simbiozë’ falë talentit dhe punës në shumë vite në skenë. Dal me konkluzionin se kanë ‘lindur’ në skenë dhe do të lozin dhe do të këndojnë gjatë në skenë.
Spektatori shkodranë i humorit është i gëzuar që këta artiste janë aktive në skenën e Teatrit Migjeni, edhe pse po i kalojnë vitet, por përsëri kanë energji dhe ide artistike të papërsëritshme.
Siç duket spektatori shkodranë i don të dyja në skenë, siç kanë qenë para 40-60 vitesh me art, sharm, gjallëri, satirë e humor. Kjo duket qartë edhe në komentet në F.B., që shkruajnë shumë dashamirës të humorit shkodranë. Një komentues shkruan: ‘Dy legjendat e Teatrit ‘Migjeni’. Ju uroj shëndet e jetë të gjatë’.
Në shkrimin tim do të analizoj, aftësitë vokale të aktoreve shkodrane Zyliha Miloti e Drande Xhaj, për shkak të studimeve të mia në fushën e muzikës serioze dhe asaj të lehtë.
Skeçet e pantomimat e shoqëruara me muzikë, me zërin e aktorit fitojnë kuptime të veçanta dhe transmetojnë mesazhe pozitive tek spektatori i humorit ose dramës.
Kur fjala, gjesti bëhen sebashku me tingullin njerëzor, ndikon shumë për të transmetuar emocione tek publiku.
Estrada është gjini e artit skenik që përfshin pjesë të vogla humoristike-satirike të ndërthurura me muzikë, si dhe valle, pantomima, kuplete, lojëra shpejtësie etj. Pjesët humoristike satirike të ndërthurura me muzikë, kupletet e aktores Zyliha Miloti dhe Drande Xhaj në gadi 65 vite, të ngelin në mendje, falë zërit të tyre shumë melodioz, muzikalitetit të lindur në shpirt. Zëri njerëzorë është pasqyrë e shpirtit, d.m.th. fjala dhe zëri i Zylit dhe Drandes janë pasqyrë e mendjes dhe shpirtit të dy aktoreve të estradës së Shkodrës.

Estrada (frëngjisht: estrade) do të thonte fillimisht, ‘një lloj skene’ për shfaqje. Tani ky term nënkupton edhe një lloj arti skenik të formave të vogla të drejtimit kryesisht popullor-argëtues, duke përfshirë drejtime të tilla si kënga, vallëzimi, cirku në skenë, iluzionizmi, zhanri bisedor, parodia, kllouneri. Si një lloj aktiviteti kulturor dhe ekonomik, estrada është pjesë e pandashme e Show-Bizit.
Në muajin dhjetorë 2023 do të festohet 65 vjetori i Estradës së Shkodrës. Estrada e Shkodrës ka një traditë të shkëlqyer në fushën e humorit, satirës e muzikës në të gjithë Shqipërinë. Aktorët e humorit të estradës së Shkodrës , kanë artëdashës në të gjithë Shqipërinë dhe në viset shqiptare. Drejtori aktual i Teatrit Migjeni regjizori i mirënjohur Arian Culiqi do t’i japi një zhvillim tjetër këtij institucioni dhe humorit në Shkodër. Falë eksperiencës në fushën e humorit, regjisë dhe televizionit, Ariani do të ringjalli aftësitë artistike të estradës, në një periudhë kur spektatori shkodranë mezi po i pret aktorët e humorit në skenë, për ta vazhduar traditën në të ardhmen.
Estrada e Shkodrës duhet të lozi edhe muzikalë modern, të autorëve shqiptarë dhe të huaj. Në estradën e Shkodrës duhet të përfshihen gjithashtu zhanre si vallëzimi, cirku në skenë, iluzionizmi, zhanri bisedor, parodia, kllouneri etj. Kur punët në art bëhen me dashuri, pozitivitet e profesionalizëm, arti arrin qëllimin e tij, për të qenë pranë spektatorit.
Një argument që më motivoi të shkruaj për aktoren Zyliha Miloti është se ajo ka përfunduar liceun artistik ‘Jordan Misja’ në Tiranë për aktrim. Studimet e Zylit për aktrim kanë ndikuar pozitivisht tek personaliteti dhe karriera e saj artistike.
Në këtë kontekst mendoj se sot në shkollat artistike duhet të mësohen edhe aktrimi, humori, pantomima në orë të veçanta, që të vazhdohet tek të rinjtë tradita e humorit. Zyliha Miloti ka kënduar pa i mbushur 14 vjet, kur ishte në klasën e 7-të.
Edhe aktorja Drande Xhai ka kënduar në koret e fëmijëve të shtëpisë së pionierit në Shkodër.
Personalisht kam luajtur në orkestrën e Estradës së Shkodrës që në Operetën e kompozitorit shkodranë Mark Kaftalli në vitin 1978 dhe në disa premiera të estradës dhe në Shown me regjizor Zyhredin Doklen.
Më ka bërë përshtypje të kënduarit e shumë aktorëve të humorit, që janë shquar për një zë të bukur, melodioz, me intonacion duke i rritur vlerat e interpretimit në skenë.
Një prej këtyre aktorëve është edhe Zyliha Miloti, që në rolet e saja kur janë shoqëruar me muzikë, ka prezantuar një këngëtare me një vokal të veçantë, timbrikë të veçantë , tingull plot dritë dhe muzikalitet të mrekullueshëm. Zyli këndon shumë mirë jo vetëm këngët shqiptare, por edhe këngët e njohura italiane të kantautoreve të njohura.
Aktori i humorit krahas lojës në skenë, plastikës, duhet të jetë i kompletuar edhe me vokal. Siç shkruajta më lart, Zyliha Miloti ka përfunduar Liceun artistik ‘Jordan Misja’ në Tiranë dhe duke qenë në një shkollë të mirënjohur muzike ka bashkëpunuar dhe ka studiuar edhe ushtruar edhe kanto. Edukimi muzikorë duhet të jetë bazë për aktorët e ardhshëm të humorit, nëse duam ta çojmë përpara këtë traditë artistike të Shkodrës.
Zyliha Miloti është gjithashtu edhe e shoqja e bateristit dhe muzikantit të njohur shkodranë Fuat Miloti, pjesmarrës i shumë aktiviteteve artistike në Shkodër.
Edhe aktorja Drande Xhaj, ka një vokal shumë të mirë, me intonacion të pastër dhe ka kënduar këngë të njohura në skeçet e rolet e saja.
Zyliha Miloti lindi në Shkodër, më 11 janar 1946 . Ka mbaruar liceun artistik ”Jordan Misja”, me 1965 për aktore dhe nga viti 1967 e në vijim paraqitet si një nga aktoret më të suksesshme të Estradës Profesioniste të Shkodrës për rreth 60 vjet.
Pa i mbushur 14 vjet, kur ishte në klasën e 7-të, u paraqit për herë të parë para publikut si një këngëtare e vogël shumë e talentuar ndërsa si aktore e humorit, ajo e filloi në moshën 20 vjeçare në estradën profesioniste të qytetit të Shkodrës, pranë teatrit “Migjeni”.
Zyliha Miloti, numëron me qindra role në karrierën e saj të shkëlqyer ndërsa galeria e personazheve që krijoi dhe eksperienca e saj, bënë që ajo të mbetet një nga aktoret e shquara në skenën e humorit shqiptar. Krijoi figura grashë prepotente e zotëruese ndaj burrave, llafazanë apo të llastuara, sikundër edhe femra snobe, malësore disi naive apo ”burrnesha”, zyrtarë e intelektalë të kohës etj.
Në aktrimin e saj, vërehen më pak elementët e groteskut, duke qënë më aktive te një humor me theksa realiste e sjellja sa më pranë modeleve jetësore. E paarritshme në skenë, gjithmonë e respektuar dhe modeste, Zyliha Miloti është një artiste me botë të pasur shpirtërore, në interpretimin e së cilës rrjedh natyrshëm humori shkodran.
Partnere e parapëlqyer e aktorit të mirënjohur Tano Banushi sikurse edhe e Zef Dedës me të cilin ka luajtur shumë pjesë të shkurtra për estradë (Fotografisti, Në spital, Kunati i shokut Xhemal, Truall i zënë, Toka jonë etj.).
Në vitin 2006 luajti rolin e Gjylit në pjesën “Nje histori e thjeshtë” të Edmond Mëhillit, në teatrin ”Migjeni ”, me të cilin fitoi çmimin si ”Aktorja më e mirë ”në Festivalin e aktrimit ”Apollon 2006”. Një gjysëm shekulli karrierë artistike në Teatrin e Estradës dhe gjatë këtyre viteve ka realizuar më shumë se 250 premiera shfaqjeje.
Aktorja e humorit Zyliha Miloti ka luajtur me shumë profesionalizëm edhe në disa filma shqiptarë. Falë talentit të madh në fushën e aktrimit e të humorit, në kinematografi Zyliha Miloti është një aktore filmi shumë e veçantë, me një model shumë realist të lojës në film, duke sjellur personazhe filmash pa humbur origjinalitetin e skenës.
Zyliha Miloti ka luajtur në filmat: Maya – (2011), Taja, Pak freskët sonte – (1994) (TV), Dy herë mat – (1986), Shoku ynë Tili – (1981)
Drande Xhaj, lindi më 13 Qershor 1957. Filloi punën si aktore profesioniste në Teatrin “ Migjeni“ në vitin 1978. Gjatë rreth 43 vitesh, Dana, interpretoi në 130 premiera me Estrades se Shkodres. Dana e quan veten me fat që interpretuar përkrah mjeshtrave të medhej të humorit shqiptarë, si Tano Banushi, Paulin Preka, Zyliha Miloti, Jolanda Shala, Katerina Biga, Zef Dada, Bisnik Çinari etj.
Dana, ka interpretuar në dy filma të Kinostudios, “Thirrja“ dhe “Shokët tanë të mirë“. Ka interpretuar në katër telekomedi. Ka drejtuar dhjetra koncerte të ndryeshme dhe para katër vitesh ka interpretuar në monodramen e Fadil Krajës “ “Vajza me kukull“.
Është një nga iniciatoret kryesore për rikthimin e teatrit të kukullave ku në të gjitha premierat, ajo eshtë protagoniste.
Dana është nderuar me titullin ” Mjeshtër i Madh”, me urdhërin “ Naim Frashëri“ nga Presidenti i Republikës. Është “Mirënjohja e qytetit“ në Shkodër. “ Qytetare Nderi“ në Malësinë e Madhe dhe Komunës Gruemirë. Është fituese e çmimit “ Aktorja më e mirë “ në Festivalin Kombëtarë të Komedisë Shqipe në Mitrovicë , në vitin 2014, 2015.
Si përfundim duke i uruar Zyliha Milotit dhe Drande Xhaj, jetë të gjatë dhe Estradës së Shkodrës në këtë 65 vjetorë shumë suksese po sjelli një proverb të Friedrich Nitche: ‘Jeta pa muzikë nuk do të kishte kuptim ose e thënë ndryshe, jeta pa humor nuk do të kishte kuptim, do të ishte e zbrazët, bosh’.
Një psikolog arti shkruan: ‘E qeshura të zgjat jetën’.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu