Emil Erich Kästner – autor i shquar i Letërsisë dedektive për fëmijë

0

Shkruan Xhahid Bushati

Ishte shkrimtar, poet, skenarist dhe satirist gjerman. Është i njohur, kryesisht, për poezitë e tij humoristike, shoqërore dhe të zgjuara për fëmijë, si dhe për poezitë e tij të mprehta. Ai mori Medaljen Ndërkombëtare “Hans Kristian Andersen” në vitin 1960, për autobiografinë e tij “Als ich ein kleiner Junge war”. Emil u nominua për Çmimin Nobel në Letërsi në gjashtë vite.
Emil lindi më, 23.02.1899 në Dresden. I ati, Rikard ishte mjeshtër-saraç, kurse e ëma Ida Amalia (mbiemri Agustini) më parë kishte qenë shërbëtore, por në moshën 30-vjeçare u trajnua si parrukiere, e vazhdoi këtë profesion për të plotësuar të ardhurat ekonomike të të shoqit.
Kästner kishte një marrëdhënie të veçantë dhe të ngushtë me nënën e tij. Kur Emil jetonte në Lajpcig dhe Berlin, ai i shkruante letra dhe i dërgonte kartolina pothuajse çdo ditë.
Kästner shkroi për fëmijërinë e tij në autobiografinë “Als ich ein kleiner Junge war” (1957, përkthimi i autobiografisë: “Sikur isha një djalë i vogël”).
Në vitin 1913, Kästner hyri në shkollë për trajnimin e mësuesve në Dresden. E braktisi shkollën në vitin 1916 pak para se të përfundonte provimet që do të kualifikohej për të dhënë mësim në shkollat shtetërore. Ai u thirr në Ushtrinë Mbretërore Saksone, në vitin 1917. U trajnua në një njëri të artilerisë së rëndë në Dresden. Pas përfundimit të luftës, Kästner u kthye në shkollë. E kaloi provimin dhe fitoi bursë nga qyteti i Dresdenit. Në vjeshtën e vitit 1919, Kästner u regjistrua në Universitetin e Lajpsig-ut për të studiuar histori, filozofi, studime gjermane dhe teatër. Studimet e çuan në Rostock dhe Berlin. Në vitin 1925 mori doktoraturën për tezën: – Mbi Frederikun e Madh dhe Letërsinë gjermane. Ai i pagoi vetë studimet duke punuar si gazetar dhe kritik në një gazetë. Në vitin 1907 u transferua në Berlin. Vazhdon të shkruajë për gazetën “Neue Leipziger Zeitung”, me pseudonimin “Berthold Bürger” (“Qytetari Bert”) si korrespondent i pavarur. Më vonë Emil përdori edhe këto pseudonime, si: “Melchior Kurtz”, “Peter Flint” dhe “Robert Neuner”.
Vitet e Emil-i në Berlin, nga viti 1927 deri në 1933, ishin më produktivë në aspektin letrar e artistik. Botoi poezi, në rubrika gazetash, artikuj, recensione në shumë prej periodikëve të rëndësishëm të Berlinit. Ishte bashkëpunëtor i rregullt në të përditshmet, si: “Berliner Tageblatt”, “Vossische Zeitung”, “Die Weltbühne”. Hans Sarkowiçz dhe Franz Josef Görtz, redaktorët e veprave të tij të plota (1998), listojnë mbi 350 artikuj të shkruar midis viteve 1923 dhe 1933.
Në vjeshtën e vitit 1928, botoi librin e tij më të njohur për fëmijë “Emil und die Detektive”, ilustruar nga Walter Trier. Pronari i Shtëpisë Botuese “Weltbühne”, Edith Jacobsen, kishte sugjeruar Kästner-it idenë për të shkruar një histori me detektivë. Libri u shit në dy milion kopje vetëm në Gjermani dhe që atëherë ishte përkthyer në 59 gjuhë. Romani ishte i pazakontë dhe ndryshe si tipologji nga shumica e letërsisë për fëmijë të asaj periudhe. Kästner e kishte vendosur Berlinin në një realitet bashkëkohor dhe jo në një botë përrallore. Autori u përmbajt nga moralizimi i hapur, duke i lënë veprimet e personazheve të flisnin vetë. Mendojmë se lavdia e këtij romani, ndikoi edhe në krijimin e librave të tjerë duke iu përmbajtur këtij zhanri për fëmijë me detektivë.
Kästner shkroi për fëmijët, për shkak të besimit të tij në fuqitë regjeneruese të rinisë. Në ditarin e tij të vitit 1945, që u botua shumë vite më vonë, Kästner përshkruan tronditjen e tij kur mbërriti në Dresden menjëherë pas bombardimit të qytetit në Luftën e Dytë Botërore dhe gjeti atje vetëm grumbuj rrënojash, në të cilat ai nuk mundi të njihte asnjë nga rrugët ku kishte kaluar fëmijërinë e tij. Në “Autobiografinë…” e tij, ku përfshin edhe një vajtim për Dresdenin, ai do të thoshte: “Unë kam lindur në qytetin më të bukur në botë. Edhe nëse babai juaj, fëmija, ishte Njeriu më i pasur në botë, ai nuk mund të ta merrte më për ta parë Dresdenin, sepse ai nuk ekzistonte më… U deshën mijëra vjet të ndërtohej bukuria e tij, e, në një natë u shkatërrua plotësisht”.
Pas përfundimit të Luftës, Kästner u transferua në Mynih, ku u bë redaktor i kulturës dhe botues i revistës për fëmijë “Pinguin”. Romani i tij “Fabian” u bë film në vitin 1980, si dhe disa nga librat e tij për fëmijë, gjithashtu, u bënë filma. Në vitin 1951, Kästner u zgjodh President i Qendrës PEN të Gjermanisë Përendimore dhe qëndroi në detyrë deri në vitin 1961. Në vitin 1965 u bë President Emeritus. Shkroi dhe dy libra për fëmijë, të cilët do të ishin të fundit, ato me tituj: “Der kleine Mann” dhe “Der kleine Mann und die kleine Miss”.
Vdiq më 29.07.1974 në spitalin “Neuperlach” në Mynih. Menjëherë pas vdekjes së tij, Akademia Bavareze e Arteve vendosi një çmim letrar në emër të tij. Shumë rrugë në Gjermani kanë emrin e tij, si dhe asteroidi 12318.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu