Vajza zog

0

Nga shkrimtari i famshëm irlandez Xhejms Xhojs

Dedali, 1917

Shqipëruar nga Zija Vukaj

Përpara tij në mes të rrugës së njerëzve qëndronte një vajzë e vetmuar dhe e palëvizshme, me shikimin drejt detit. Dukej si një krijesë e shndërruar si me magji në trajtën e një shpendi deti, të bukur e të rrallë. Këmbët e saj të gjata, të holla e lakuriqe ishin të brishta si ato të një çafke dhe të pacenuara, me përjashtim të vendit, ku një fije alge ngjyrë smeraldi kishte mbetur e dukej si dregëz plage. Kofshët, më të plota dhe të derdhura si fildishi ishin të zbuluara pothuaj deri te ijët, ku buza e bardhë e mbathjeve dukej si puplajë e butë dhe e bardhë borë. Fundi ngjyrë ardeze ishte përvjelë në mënyrë ngacmuese deri në bel dhe i varej pas si bisht pëllumbi. E kishte gjirin si të një shpendi, të butë dhe delikat, delikat e të butë si gjoksi i një pëllumbi me pupla të errëta. Por flokët e saj të gjatë dhe të verdhë ishin si ato të një fëmije. Dhe fëmijërore ishte edhe fytyra e saj, ku kishte lënë gjurmën mrekullia e bukurisë njerëzore.
Ishte e vetmuar dhe e palëvizshme, me shikim drejt detit. Kur vuri re praninë e Stefenit dhe vështrimet e tij plot adhurim, ktheu drej tij sytë me një shikim të qetë e të patrazuar, ku nuk dallohej as turpërim e as koketëri! (…) O perëndi e madhe!- klithi shpirti i Stefenit në një vërshim gëzimi tokësor (…) Përpara i qe fanitur një engjëll i egër, engjëlli i rinisë dhe i bukurisë vdekatare, një lajmës i gjykatave të jetës, i dërguar për t’i shpalosur në një çast dalldie dyert e të gjitha rrugëve të lajthitjes dhe të lavdisë. Përpara! Përpara! Përpara!

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu