Skandali me pasurinë e vetingashes Etleda Çiftja zbulon llumin në “Drejtësinë e Re”

0

Procesi penal ndaj Etleda Çiftjas, nuk është rasti i parë i përballjes së anëtarëve të Vetingut me drejtësinë penale.

Më herët, anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, i dënuar me shërbim prove për falsifikim dokumentash, ndërsa kolegu i tij, Ardian Hajdari,  është në pritje të gjykimit për “fshehje të të ardhurave”.

Por, rasti i Etleda Çiftjas është më skandalozi i konkluduar deri më tani nga hetimet e Prokurorisë Speciale, SPAK.

Anëtarja e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Çiftja, akuzohet se ka kryer deklarimi të rremë të pasurisë.

Dhe, siç ndodh rëndom kur synohet fshehja e burimeve të ligjshme të pasurisë, një shkelje pasohet me një ose disa të tjera.

Kështu ka vepruar edhe Çiftja, siç është konstatuar nga hetimet e SPAK-ut.

Për të fshehur burimin e vërtetë të pasurisë së saj, komisionerja e Vetingut ka kryer kontrata false, si edhe ka marrë edhe një kredi bankare, për të justifikuar transaksionet e saj.

Deri këtu, skema e ndjekur nga Etleda Çiftja, ngjason me shumë raste të tjera të gjyqtarëve e prokurorëve, të shkarkuar tashmë nga procesi i rivlerësimit.

Por, elementi më skandaloz në të gjithë këtë histori është fakti se është pikërisht Etleda Çiftja që ka ndërprerë karrierën e shumë funksionarëve të drejtësisë, pikërisht për “deklarim të rremë të pasurisë”.

Ajo është prezantuar e prerë dhe shpesh, edhe ironike, kur ka dhënë vendimet për shkarkimin e subjekteve të ndryshëm.

Në foto: Komisionerja e Vetingut, Etleda Çiftja, ka vendosur shkarkimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve për probleme me pasurinë

Duke e parë në krye të tavolinës së “gjykatës së gjyqtarëve”, përshtypja e parë që krijohet, është që ajo dhe kolegët e saj janë qelibarë sa u përket pasurisë dhe integritetit dhe janë të legjitimuar që të verifikojnë gjyqtarët e prokurorët.

Por, kur SPAK-u zbuloi se vetë Etleda Çiftja është zhytur në të njëjtin llum me subjektet që ajo ka shkarkuar, këtu është momenti për një reflektim.

A kishte Shqipëria juristë të aftë dhe të pastër, për të kryer vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve? Nëse po, pse dreqin u përfundua tek këta komisionerë, një pjesë e të cilëve jo vetëm nuk arrijnë të justifikojnë pasurinë, por janë edhe tërësisht të paaftë për të mbuluar zullumet e tyre.

Rasti i Etleda Çiftja përbën një arsye më tepër për të vënë në pikëpyetje të gjithë mënyrën se si u përzgjodhën komisionerët dhe se si po zbatohet Reforma në Drejtësi në praktikë.

Tashmë, Çiftja prej vendimin e Gjykatës së Posaçme. Prokuroria kërkoi dënimin e saj me një vit e gjysëm burgim, të konvertuar në shërbim prove.

Po ashtu, prokuroria kërkoi edhe pezullimin e saj nga detyra deri sa rasti të marrë formë të prerë.

Kjo kërkesë e SPAK-ut ndoshta nuk do të duhej të paraqitej në gjykatë, nëse institucionet përgjegjëse, përfshirë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, do të kryenin detyrën e tyre normale dhe do të pezullonin nga detyra Etleda Çiftjan.

Etleda Çiftja është në gjykim për fshehje pasurie, ndërkohë që ajo vijon të japë vendime për pasurinë e gjyqtarëve.

Absurdi në këtë vend arrin në maja kulmore në rastet, si ky i Etleda Çiftjas.

Gjyqtari i Posaçëm, Erion Bani, pritet të shpallë vendimin ditën e Premte (16 Shtator 2022).

Ka shumë zëra në korridoret e drejtësisë që mbështesin tezës se gjyqtari Bani do të japë pafajësi për Etleda Çiftjan.

Në foto: Gjyqtari i Posaçëm, Erion Bani

Megjithëse paragjykues, kjo tezë duket e besueshme për të paktën një element të fortë-Etleda Çiftja ka konfirmuar në detyrë gjatë procesit të Vetingut, gjyqtarin që tashmë ka në dorë fatin e jetës dhe karrierës së saj.

Perceptimi në radhët e gjyqësorit, por jo vetëm, është i tillë që Etleda Çiftja mund të vijojë sërish detyrën e qetë, me ndihmën e Gjyqtarit Bani.

Në rastin e Etleda Çiftjas, buk bëhet fjalë për shqyrtim faktesh e provash. Ato i ka ezaruaur në mënyrë të plotë hetimi i SPAK-ut.

Dënimi i Çiftjas për deklarim të rremë të pasurisë dhe falsifikim (të trashë) dokumentash, do të vendoste në pikëpyetje të gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të Vetingut.

Dhe, ca vendas e ndërkombëtarë, e kanë me merak që të mos u cënohet asnjë fije floku anëtarëve të Vetingut, edhe kur këta të fundit, ashtu si disa gjyqtarë e prokurorë të shkarkuar, e kanë bërë baltë me ligjin dhe nuk dinë se si të fshehin pasurinë e krijuar në mënyrë të paligjshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu