Shqiptarët e Amerikës në lot e dhimbje përcollën në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun

0
Shkruan Sokol Paja
New York – Më 10 Gusht 2022, familja, të afërmit, miqtë dhe komuniteti shqiptar në Amerikë, në lot, trishtim e dhimbje përcollën në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun. Në homazhet që u zhvilluan në Bronx, përveç të afërmve, miqve e bashkëpunëtorëve, morën pjesë përfaqësues të komunitetit nga New York, Boston, Connecticut, New Jersey, Philadelphia, Washington, Detroit etj. Bashkëshortët Shehi e Belliu që u ndanë nga jeta tragjikisht duke lënë pas 2 fëmijë të mitur Schwibe e Rayan, lanë tek secili shqiptar një peng, një dramë, një dhimbje, një vuajtje, një tmerr, një tronditje të thellë jo vetëm për kohën e mënyrën sesi ikën prej nesh, por fatkeqësinë familjare që lanë pas. Keqardhja, dhimbja e vuajtja i kalojnë caqet e arsyes.
Një dashuri e lindur disa vite më parë në Tiranë, kthehet sot të pushojë përjetë në qytetin ku lindi.
Arkëmorti me trupat e vdekshëm të shpirtit të pavdekshëm të Ornelës e Florindit niset nga New York sot më 11 Gusht 2022 në orën 4.15 pm. Trupat pritet të mbërrijnë në Tiranë në orën 5.45 pm më 12 Gusht 2022.
Ornela dhe Florindi, ikën shpejt dukë lënë përveç dhimbjes e kujtimit të përjetshëm, mbresa të pashlyeshme tek të gjithë që i njohën. Një çift ëndërrimtarësh, pasionantë, artistë, të guximshëm, të bukur, kurajozë, dinamikë, të dashur e të respektuar në komunitet, dorëzuan shpirtin e tyre te krijuesi i gjithësisë si shpresë e jetës së pasosur e dëshmi e shekullit të rrejshëm në të cilin jetojmë.
Largimi për në amshim i dy të rinjve me shumë ëndrra në tokën e premtuar, shkaktoi një tragjedi të vërtetë për rrethanat, pasojat dhe misterin që morën me vete në qiell.
Shpirti i bukur i Ornelës e Florindit pushoftë në paqen e përjetshme, në mbretërinë e ëngjëjve e të shenjtërve. Zoti i forcoftë familjen Shehi dhe Belliu për humbjen e pazëvendësueshme të Ornelës dhe Florindit. U kujtofshin për të mos u harruar kurrë.
Djemtë e tyre Schwibe e Rayan jetofshin një shekull e qofshin jetëgjatë, për të jetuar jetën dhe ëndrrat që Ornela e Florindi lanë në mes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu