Shpërthim eksplozivi mbi makina e kreut të Sindikatës, Elton Debreshi

0
Pas shpërthimit të një sasie eksplozivi në makinën e kreut të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, policia thotë se ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

Një sasi lënde plasëse ka shpërthyer në orët e para të së premtes në makinën e kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, Elton Debreshi. Makina ishte e parkuar në afërsi të banesës së Debreshit, në fshatin Dushaj të njësisë administrative Fushë-Bulqizë.

Sipas policisë, shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

“Në pjesën e përparme të automjetit  të shtetasit E. D., dyshohet se është vendosur dhe ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse dhe si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale,” tha përmes një njoftimi drejtoria e Policisë së Dibrës.

Sipas fqinjëve, shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe një pjesë e murit në afërsi të mjetit të parkuar është rrëzuar.

Policia bëri me dije se janë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët dyshohen se mund të kenë dijeni për rrethanat e ngjarjes. BIRN nuk arriti të komunikonte dot me Debreshin deri në publikimin e shkrimit.

Prej nëntorit 2019, Elton Debreshi është zgjedhur kryetari i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Pas një vale protestash në dhjetor 2019, ai u shkarkua nga puna në kompaninë Albchrome. Debreshi kandidoi si i pavarur në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, por nuk arriti të zgjidhej deputet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu