Pallatet pa leje, Rama kalon mbi Prokurorinë. Shkeljet raportohen te Dallëndyshe Bici

0

Qeveria ka zbardhur vendimin për konfiskimin administrativ të pallateve pa leje, të miratuar një javë më parë.

Vendimi parashikon në mënyrë të detajuar mënyrën se si veprohet në rastet kur konstatohen ndërtime të plota apo shtesa pa leje.

Ndërtuesit kanë të drejtën e parablerjes së sipërfaqes së ndërtuar pa leje me çmimet e tregut ose t’ia dhurojnë atë pjesë qeverisë, nëpërmjet kontratave “1 euro”.

Në çdo rast, Vendimi i Këshillit të Ministrave nuk e përmend fare faktin që “ndërtimi pa leje” është një vepër penale dhe në rastet kur kjo shkelje kryhet për qëllime përfitimi, dënimi është nga 3 deri në 8 vjet burgim.

Akti nënligjor që mban firmën e kryeministrit Edi Rama parashikon procedurat e para-konfiskimit të ndërtimeve pa leje, të cilat arrijnë deri në 6 muaj.

Po ashtu, vendimi parashikon që autoritetet e zbatimit të ligjit dhe ato që kontrollojnë territorin, pra Policia e Shtetit, Policia Bashkia dhe inspektoratet vendore ndërtimore, duhet të raportojnë për çdo sipërfaqe ndërtimore pa leje pranë Inspektoratit Kombtëtar së Mbrojtjes së Territorit (IKMT).

Nga momenti i kryerjes se aktit të konstatimit të  paligjshmërisë  në  ndërtim  deri  në  përfundim  të procedurës së konfiskimit, punimet pezullohen me urdhër  të  drejtorit  të  Përgjithshëm  të  Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit…”, thuhet ndër të tjera në vendimin nr. 589, dt. 07.09.2022 “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi”.

Në foto: Vendimi i qeverisë për “konfiskimin” e ndërtimeve pa leje

Pra, institucionet që konstatojnë paligjshmërinë në ndërtime, tashmë do të duhet të raportojnë vetëm tek agjencia e drejtuar nga Dallëndyshe Bici, duke shmangur tërësisht referimin e veprës penale pranë organit të Prokurorisë.

Kodi Penal, në nenin 199/a, parashikon ndër të tjera se: “Ndërtimi i kryer pa leje, në shkelje të rëndë të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar…e kryer për qëllime fitimi, dënohet me burgim nga tre deri në tetë vjet”.

Institucionet ligjzbatuese dhe ato inspektuese kanë detyrimin ligjor që të raportojnë çdo shkelje të natyrës penale pranë Prokurorisë dhe kjo e fundit kryen hetimet e mëtejshme.

Por, nëpërmjet Vendimit të miratuar së fundmi nga Këshilli i Ministrave, tashmë paligjshmëria në ndërtime do të raportohet pranë Dallëndyshe Bicit dhe stafit të saj, duke shmangur prokurorët.

Situata duket absurde, pasi qeveria, vetëm me një Akt nënligjor, “shfuqizon” një parashikim të Kodit Penal, i cili për nga hierarkia e ligjeve, është shumë më lart se sa vendimet qeveritare. Boldnews.al

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu