Ndoc Gjetja, meteori që u bë yll!

0
Shkruan Zef Ndreka
Sot në përvjetorin e 80-të të lindjes së poetit Ndoc Gjetja, nuk munguan emocionet në një nga sallat në qytetit të Lezhës, një eveniment i organizuar nga grupi letrar që mban pikërisht këtë emër.
Në emër të organizatorëve, hapi fjalën dhe përshëndeti poeti mirditor Viktor Gjikolaj. Më pas, në ekranin e improvizuar u transmetua një përmbledhje film kushtuar tërësisht jetës dhe vepres së poetit Ndoc Gjetja.
Në vazhdim, kujtuan poetin dhe përshëndetën të afërm e miq të tij. Gjithashtu u rrecituan disa nga poezitë e tij nga të rinj e të reja.
Emocionuese, ishin kujtimet e mikut të poetit, artistit dhe shkrimtarit Salvator Gjeçi, të shkrimtarit Kujtim Dashi, të shkrimtares Shpresa Kapikyzi, të mbeses së poetit mesueses se letërsisë ne shkollën e Lezhës, të poetit e shkrimtarit Preç Zogaj.
Ishte një eveniment shumë dinjitoz në nder të 80-vjetorit të poetit Ndoc Gjetja.
Vërtetë u organizua një eveniment nga më të rrallët në Shqipëri, dhe pikërisht në Lezhën ku u rrit, u formua dhe u shfaq poeti i viteve ’70-të.
Po, cili ishte Ndoc Gjetja dhe si e kujtojmë atë?
Më poshtë është dokumentari që e plotëson veprën, jetën e poetit.
Për miqt e mi, për lexuesit, mjafton dhe nuk mjafton të thuhet se Ndoc Gjetja ishte vetëm një poet.
Një poet, që theu tabù në poezinë shqipe të atyre viteve.
Ndoc Gjetja, ishte një fenomen, ishte një poet jo vetëm për vargjet që na la, por një poet edhe nga mënyra se si fliste. Ishte poet edhe nga mënyra si shfaqej, nga mënyra si sillej, madje edhe nga mënyra si ecte, si dëgjonte, si jetonte.
Ndoc Gjetja ishte dhe mbeti një enigmë, që duhet zbuluar.
Ai na la poezinë e tij, brënda të cilës ka një tharm universal që kurrë nuk zbehet.
Poeti Ndoc Gjetja, është plotësisht i denjë për sofren e parë të poezisë shqipe. Ai nisi si një meteor që nuk shkoi drejt shuarjes, por që përfundoi në një yll që vetëm ndriçon…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu