Meta ka fatin e Djallit, s’do të qëllohet me “gurë” në Muajin e Ramazanit

0

Sido që është, në këtë muaj të Ramazanit, ka paqë.

Shkruan Sokol Pepushaj

U rrëzua historia, “gjuajtja e djallit” në Mekë, ose “Ramy al-Jamarat”, siç njihet në arabisht, s’do të bëhet!

Jo, historia 632 vjeçare nuk u rrëzua. Ajo, këtë vit ka “vrarë pak këmbën”.

Do të shërohet e do vazhdojë të godasë fort me gurë, deri kur djajtë të vriten.

Djajtë nuk vriten as lehtë, as shpejt.

Gati për 14 shekuj, ata sillen diku nëpër njërin nga tre muret e qytetit Mina. Askush nuk ka thënë deri sot se djajtë janë pakësuar, paçka se vit për vit, miliona gurë qëllojnë andej nga fshehen ata.

I kanë “plagosur” rëndë sipas ritualit, u kanë shkaktuar plagë e nuk ua kanë lënë as të vëndosin kore, pa u hapur të rejat. E vetmja herë që nuk do u bëhet “kurizi më i butë se barku” djajve, është ky vit.

Këtë vit janë lënë të qetë. Njeriu nuk do të qëllojë me asnjë guralec asnjë. Kështu u vëndos dhe kështu u bë.

Po kush e pengoi njeriun ne këtë ndeshje të gjatë?

Pikërisht ca djaj me një virus. Donald Trump i mori i pari “gurët” ta qëlloi. Do ketë ndeshje të ashpër duket. Pas tij, e gjithë bota. Pra, kemi ndërruar objektiv.

Megjithatë, bota islame e ka merakun tek Haxhilleku, tek gurët e munguar mbi djajtë në Qabe.

Po feston “gurizimin” me premtimin se vitin tjetër do të jetë me më shumë “gurë” në trasta atje.

Si në Mekë, edhe këtu në Shqipëri.

Ishte nënshkruar një marrëveshje e madhe. Kishte filluar edhe të bënte histori. Shkoi jehona deri në Komisionin e Venecia se, si fillim për një betejë të gjatë, një djall si Ilir Meta do të “mbytej” me gurë këtë pranverë. Mëpastaj, djajtë e tjerë, që në shqip quhen peshq, do ishin më të lehtë

Por kjo pranverë koincidoi me muajin e madhërishëm të Ramazanit, me muajin që nuk do qëllojë mbi ta, ndaj Meta nuk “hëngri” asnjë gurë kokës.

Këtej në Shqipëri djajtë nuk janë si andej nga bota arabe. Këtej i kemi me makina e orë të shtrenjta, me kostume e kollare.

Fillimisht duken si engjëj, flasin bukur, janë të varfër ekonomikisht e mëndërisht, janë për gjynah. Pastaj e marrin veten avash-avash derisa nxjerrin “brirët” e ndërtojnë vila ku fshihen pas mureve të larta.

Kështu kish ngjarë edhe me djallin që kishim gati ta mbulonim me “gurë”.

Kish ardhur Iliri me pantollona të shkurtëra, me këmishë të palarë e me barkun bosh, si gjynah. Në pak vite, u bë i rezikshëm. Përlau pasurinë e të varfërve dhe nisi të tallet me ta, duke i quajtur edhe kokëpalarë.

Në Qabe nuk kishte ndodhur asnjëherë që djajtë të fyenin njerëzinë. Thjeshtë, atje fshehen dhe përpiqen t’u shmangen gjuajtjeve.

Edhe ata e kuptojnë se ca goditje i kanë hak. Të paktën në Mekë kështu ka ndodhë. Djajtë atje, vetëm kanë marrë gurë e nuk kanë nxjerrë zë:

Po këtej është ndryshe. Djajtë, jo vetëm mbrohen, por me qetësi e dashuri edhe bëjnë ndonjë sulm.

Shkrimet e shenjta flasin kuptueshëm. Ritual i lashtë është nderimi që muslimanët i kthejnë profetit Abraham, të cilin e nderojnë edhe hebrenjtë e të krishterët.

Ndoshta djajtë, epokën e tyre e krijuan para se njerëzit të ndaheshin në besime.

Kanë krijuar vetveten?

E pranojnë vuajtjen, bashkë me njeriun.

Edhe Meta, deri tashti, ka sakrifikuar dhe është sakrifikuar, si djall.

Rreth dy muaj më parë, kur shumë shqiptarë do niseshin për në Qabe dhe shumë më shumë drejt presidencës, vetë Ilir Meta foli, sulmoi do me thënë, se nuk do keni nevojë të lodheni, do jem aty, në mesin tuaj, në parlament.

Fillimisht, tamam si djajtë e Mekës, pranon ca goditje.

Pritej zëmërim i madh, pritej t’ja bënin kokën gunga-gunga, bash në sallën e Parlamentit, ish miqtë më të afërt të tij. Do ta qëllonin jo 122 Haxhi, por 122 Djajë të xhindosur.

E akuzojnë se ka përdhosur ligjet e djajve. Ka vjedhur aq shumë e nuk ka ditur të fshehë.

Pastaj, ky është Djalli që ka pushtuar jo vetëm shumë pasuri, por nëpërmes Çim Pekës e shumë altoparanteve publikë, ka hyrë thellë në institucionet e “lirisë”.

Këtu nuk është si djajtë e Qabes, këtu sulmon.

U ka cënuar lirinë miqve të tij djaj?

Po, pasi ky ka talent që të gjitha suportet e djajve, t’aplikojë si privilegje të lirive të shkelura në tregun e shtrenjtë të protestave..

Po, e keqja nuk ka fund. Protestat i ka në dorë një tjetër djall.

Sido që është, në këtë muaj të Ramazanit, ka paqë./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu