Lista e Durrësit dhe Dibrës plot kriminelë/ Shpërthejnë akuzat kundër Edi Ramës që del kundër Amerikës!

0

Nga Boldnews.al

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim, nuk e fshehu zhgënjimin e saj, pasi, përkundër thirrjeve të saj disa-javore, ka konstatuar se në listat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 Prillit, ka persona të lidhur me botën e krimit.

Diplomatja amerikane nuk përmendi emra të përveçëm apo sigla partie, megjithatë është lehtësisht e kuptueshme se kritika e saj shkon për kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili ka përfshirë “çuna problematikë”, sidomos në listat e Durrësit dhe të Dibrës.

Duket qartë që Edi Rama e ka shpërfilluar plotësisht kërkesën e vazhdueshme të Yuri Kim, e cila në çdo rast deklaron se përcjell mesazhet e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Dhe, Rama duket se ka bërë shumë mirë. Kjo është një lloj “hakmarrjeje” e tij, që “hahet e ftohtë”, ndaj amerikanëve, të cilët nuk ia vunë veshin paralajmërimeve të tij.

Qytetarët dhe politika amerikane e refuzoi qëndrimin e Ramës nga vendi i vogël ballkanik, kur u bëri thirrje që të mos votonin Donald Trump për President në vitin 2016.

Duke folur në Prill 2016 një emision televiziv të enjten në mbrëmje, në një televizion në Kosovë, Rama tha se zgjedhja Trump do të sillte “dëme të mëdha” për SHBA-të dhe gjithashtu të jetë “një kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.”

Sipas Ramës, “Donald Trump është një kërcënim për Amerikën dhe, pa dyshim, një kërcënim për lidhjet shqiptaro-amerikane,” tha ai.

Këto deklarata të Ramës u transmetuan shumë shpejt edhe nga gjigandë mediatikë ndërkombëtarë, përfshirë “Nju Jork Tajms” dhe “Associated Press”.

Këto media, krahas habisë së shprehur për deklaratat e kryeministrit shqiptar, të cilat vinin vetëm pak ditë pasi ai kishte udhëtuar në Uashington, e shoqëronin tekstin e tyre edhe me një shpjegim gjeografik se në cilin vend të globit gjendet Shqipëria, një indikacion për të treguar peshën afër zeros absolute të krye-qeveritarit nga Tirana.

Edi Rama duhet të jetë ndjerë i fyer kur qytetarët amerikanë e shpërfillën dhe votuan Trump-in për President në vitin 2016.

Dhe, ai ka vendosur të “hakmerret”, duke injoruar thirrjet e amerikanes Yuri Kim, për të siguruar lista të pastra kandidatësh për deputet.

Ka një të drejtë të madhe Rama në këtë “refuzim” që i bën ambasadores.

Yuri Kim nuk është politikane.

Ajo është një e emëruar dhe nuk është përfshirë në zgjedhje, nuk ka bërë fushatë dhe nuk ka kërkuar asnjëherë vota nga qytetarët.

Ajo nuk e kupton se miku i Ramës, Tom Doshi, duhet të jetë në zgjedhje dhe të jetë edhe deputet. Ishin “200 petritat” e Doshit që bënin gjithçka në protestat e para vitit 2013 për të sjellë Ramën në pushtet dhe ata duhen shpërblyer.

Po ashtu, edhe “çunat problematikë” të Durrësit e Dibrës, e në shumë qytete të tjera, të cilët aplikuan “kulaçin e kërbaçin” në zgjedhjet e vitit 2017 në favor të Ramës, gjithashtu duhen shpërblyer.

Po duhen shpërblyer edhe pjesëtarët e “opozitës humoristike”, të cilët bën gjithçka për të mbajtur në pushtet Edi Ramën dhe “shkatërruan” Kushtetutën një favor të krye-rilindasit.

Por, të gjitha këto, nuk i kupton Yuri Kim. Ajo nuk e di se çfarë do të thotë të bësh gjithçka për të mbajtur pushtetin në Shqipëri. Ajo është thjeshtë një e emëruar, e cila është caktuar të bëjë përkohësisht “guvernanten” në vendin tonë.

Kur të iki Kim, do të vijë dikush tjetër. Ndërsa “çunat problematikë” do të mbeten këtu dhe do të kërkojnë “haraçin” tek krye-rilindasi Edi Rama.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu