Ligji i spiunëve do ‘tronditë’ politikën dhe shumë personazhe “VIP”, më e rrezikuar është elita e vendit që ka bashkëpunuar me ish-Sigurimin e Shtetit

0

Kuvendi miratoi me 20 tetor disa ndryshime në ligjin “Për të Drejtën e Informimit për dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit” pas një bashkimi votash mes mazhorancës socialiste dhe një pjese të opozitës, ndryshime që u fokusuan tek togfjalëshi “hapja e dosjeve”. Sot që flasim këto ndryshime janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe pas 15 ditësh hyjnë në fuqi. Iniciativa për ndryshimin e ligjit erdhi nga mazhoranca pasi Autoriteti për Dosjet (AIDSSH) njoftoi Kuvendin se në një email anonim kishte hedhur dyshime se një politikan i lartë me inicialet I.M kishte qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit famëkeq të shtetit. Autoriteti kërkoi të drejtën për të riverifikuar figurat e zyrtarëve të lartë që kishin marrë “certifikatë pastërtie” nga dy komisione të ngritura në vitet pas rënies së komunizmit. I dyshuari kryesor i gjëegjëzës, ish-presidenti Ilir Meta, i hodhi poshtë akuzat dhe e cilësoi iniciativën një sulm politik. Neni që ndalonte autoritetin për verifikimin e Metës u rrëzua, por gjatë diskutimeve në Kuvend debati politik e anashkaloi këtë çështje duke u fokusuar tek një nen i ri që parashikon aksesin në dosjet e ish-sigurimit për çdo qytetar. Por me hyrjen në fuqi të këtij ligji, janë të shumtë politikanët që preken, ku listës për t’u larguar nga politika dhe vendimmarrja publike i prin Ilir Metaj, ndërsa të njëjtin fat si ky i fundit i pret edhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë pjese e politikës, qeverisë, ushtrisë, SHISH, Policisë dhe administratës, që iu kanë shpëtuar filtrave të komisioneve “Bezhani” dhe “Mezi”, por që në rast se gjatë hetimeve rezultojnë që kanë qenë bashkëpunëtor të ish-Sigurimit, ata do të largohen nga sistemi. Pra, me hyrjen në fuqi të ligjit, pritet të tronditet politika shqiptare dhe fusha të tjera, ku spiunët dhe bashkëpunëtorët e ish-Sigurimit të Shtetit do të diskreditohen dhe flaken nga sistemi. Thënë troç, “tërmeti” do të ndodhë pasi në ligjin e ri reflektohet plotësisht kërkesat e Autoritetit, së pari në shfuqizimin e pikës 4 të nenit 29 të ligjit dhe së dyti qartësimin e detyrimit për t’u verifikuar për kandidatët në zgjedhjet vendore e qendrore.

Çfarë ndodhi javën e fundit të korrikut?

Gazeta “SOT” po sjell sot për lexuesin gjithë kronologjinë dhe ngjarjen hap pas hapi deri në momentin që u votuan në Kuvendin e Shqipërisë ndryshimet në ligjin e dosjeve të ish-Sigurimit. Kështu, gjithçka nis një ditë pasi Ilir Meta ishte zhveshur nga kostumi i Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe sapo kishte mbajtur Konventën e LSI-së në hënën e 25 korrikut të këtij viti, ku iu ndryshua emri partisë në Partia e Lirisë, kur një postim në “Facebook” i Autoritetit të Dosjeve do të përcaktonte rrjedhën e debatit politik e publik në ditët që pasuan. Pasditen e së martës, Autoriteti i Dosjeve komunikoi përmes “Facebook” se i kishte kërkuar (për herë të tretë) Kuvendit që të ndryshonte ligjin për të drejtën e informimit për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Në kërkesë, Autoriteti thotë se pika 4 e nenit 29 të ligjit mbi të cilin funksionon ja ndalon që të verifikojë figurat e larta politike që janë të pajisur më parë me certifikatë të pastërtisë së figurës. Si shembull, Autoriteti nxori në të njëjtën deklaratë rastin e “një politikani të profilit të lartë me inicialet I.M., që sipas tij kishte certifikatë pastërtie figure, por kishte njëkohësisht edhe një dosje te ish-Sigurimi. Mediat ishin të parat që folën se politikani në fjalë ishte Ilir Meta. Ish-Presidenti heshti për disa orë. Të mërkurën paradite mblodhi komitetin organizativ të partisë së re dhe në fjalën e gjatë që mbajti foli vetëm për luftën antikorrupsion duke shmangur deklaratën e Autoritetit. Pak më vonë, po të mërkurën nga Kuvendi rrodhi letra e dokumenti i dorëzuar Autoritetit të Dosjeve, ku konfirmoheshin informacionet jozyrtare që I.M., për të cilin fliste Autoriteti ishte Ilir Rexhep Metaj, ish-Presidenti tashmë kryetari i PL-së, që akuzohej se kishte bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit duke spiunuar planin e arratisjes së një shoku të vet në fakultet.

Meta sfidoi Autoritetin e Dosjeve

Asokohe Meta thirri një konferencë për shtyp po të mërkurën. Zyrtarisht konferenca u thirr për të prezantuar drejtuesit e rinj të partisë së re, por jozyrtarisht ish-Presidenti e dinte që do të pyetej për dosjen e Autoritetit. “I.M., në dosje nuk jam unë”, deklaroi Ilir Meta duke akuzuar Autoritetin se ishte shndërruar në një vegël qorre e Edi Ramës, përmes fabrikimit e falsifikimit të dokumenteve. Ai premtoi që përgjegjësia për këtë manipulim, siç e quajti, do të jetë institucionale dhe individuale e personave që fshihen pas kësaj. Akuza hodhi edhe ndaj kryetares së Kuvendit, si pjesë të manipulimit. Të enjten paradite, Autoriteti njoftoi se ishte vënë në lëvizje për rastin në fjalë pas një e-maili anonim që kishte mbërritur në postën elektronike të Gentiana Sulës, drejtuese e këtij institucioni. Më vonë mediat nxorën emrin e Filip Talos. Po përmes mediave, ky i fundit në një intervistë pranon se ka kërkuar të njihet me dosjen e tij, por mohoi se të jetë spiunuar nga Ilir Meta. Të enjten, Ilir Meta sfidoi sërish Autoritetin dhe socialistët që t’i publikonin të gjithë dosjen, i bindur se I.M., për të cilin flitet nuk është ai.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu