Kulla “Skenderbeu” me para droge, Viktor Ndocit e Ylli Brakës i zhdukin dosjen e sekuestros 1.5 ton kokainë, Edi Rama u jep leje për kulla

0

Një skandal tjetër është zbuluar në punët e pista që kanë bërë shefat e Policisë së Shtetit dhe të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda që sot quhet SPAK, me zhdukjen e dosjes së sekuestros së pasurive të ortakëve ndërtues Viktor Ndoci e Ylli Braka.

Para 1 muaji, prokuroria spanjolle ka kërkuar të dhëna shtesë nga prokuroria shqiptare, lidhur me ekzekutimin e sekuestros së pasurive, që trafikanti Arjan Ndoci i kishte fshehur pas bizneseve të ndërtimit të vëllait Viktor Ndoci, ortakut Ylli Braka, në 5 agjenci transfertash e 3 banka shqiptare.

Në kuadër të bashkëpunimit mes dy drejtësive, shkresa spanjolle Nr. MD-A1338ESP, datë 11 korrik 2022, bën me dije se pasuritë e grupit mafioz “Ndoci” nuk janë sekuestruar, madje ky grup vazhdon pastron miliona Euro me aktivitete ndërtimi e në aksione bankare në Shqipëri.

Më 6 shtator të vitit 2018, ish-Drejtori i Krimit të Organizuar, Eduart Merkaj, ish-Prokurori i Krimeve të Rënda, Vladimir Mara sot në SPAK, dhe ish- Drejtori i Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj, bënë me dije se sekuestruan 5 milionë Euro pasuri e 11 milionë Euro llogari bankare të grupit kriminal “Ndoci”, të vëna me të ardhura nga trafikimi ndërkombëtar i drogës.

Ky sekuestrim, u bë në bashkëveprim me anti- mafien spanjolle, me EUROPOL  e DEA, të cilët më 30 prill 2018, kishin prangosur Arjan Ndocin me 1 ton kokainë e 1.5 milionë Euro Cash.

Trafikanti Arjan Ndoci është vëllai i ndërtuesit “lavatriçe” Viktor Ndoci dhe ortak me Ylli Brakën; të cilëve, në muajin tetor 2014, pas gjurmimit nga policia spanjolle në bashkëveprim me policinë shqiptare, u shiti firmën “Arvi Sh.p.k” me vlerë 1.2 milionë lekë, nëpërmjet Fatmir Imerit, por në qershor 2016, ky ia ri-shiti Viktor Ndocit e Ylli Brakës po 1.2 milionë lekë.

Ndërsa Viktor Ndoci e Ylli Braka, i dhuruan Fatmir Imerajt, 100% të kompanisë së ndërtimit “VI&VI Sh.p.k”, por pas zhdukjes së dosjes së sekuestros e fshirjes së çështjes “Sekuestro”, Ndoci e Braka figurojnë përsëri pronarë  të kësaj firme.

Kjo është firma që po financon edhe kullën e ashtu-quajtur “Skënderbeu” karshi hotel “Tirana” me lartësi 85 metër, dhënë me Vendim-Leje Nr. 9, datë 20.06.2018, nga kryeministri dhe Kryetari i Këshillit Kombëtar të Territorit, Edi Rama.

Para dhënies së lejes për këtë kullë, SHISH, Drejtoria e Parandalim- Pastrimit të Parave dhe Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar, vunë në dijeni kryeministrin Rama, se 42 milionë Euro financim i  kësaj kulle, po bëhej me financa jo- bankare e pa adresë burimi, por ai i shpërfilli.

Mashtrimi me sekuestron, që u njoftua se u bë më 6 shtator 2018, u zbulua më 12 gusht 2020, kur Arjan e Viktor Ndocit iu dërgua zarfi i OFL për deklarimin e pasurive, por dhe zarfi i OFL u la në harresë, mbasi fijet ishin mpleksur me Ylli Brakën, që e ka “zinxhirin” te kryeministri.

Kush e zhduku dosjen e 6 shtatorit 2018, të sekuestros së pasurive të këtij grupi “lavatriçe” miliardash kokaine me kulla e qendra tregtare në qendër të Tiranës?

Pse nuk veproi OFL, për të sekuestruar pasuritë e tyre; dhe kush po i lë në heshtje, raportet e agjencive partnere të huaja, që ndërtuesit Ndoci- Braka vazhdojnë të investojnë miliona Euro të ardhura nga aktiviteti kriminal i grupit  laçian të Spanjës?

Sepse gjurmët tregojnë, që janë klientë të preferuar të Edi Ramës në biznesin e ndërtimeve, ndërsa deri më 2013-ën kanë qenë në lidhje të njëjta punësh të pista me Shkëlzen Berishën, dhëndrin Malltezi dhe oligarkun e të gjitha pushteteve Bashkim Ulaj.

Saktësojmë, se treshja Ndoci- Braka- Imeri, figurojnë bashkëpronarë e bashkëdrejtues në firmat “VI&VI Sh.p.k” e “VIND”, ndërsa Viktor Ndoci e Ylli Braka, kanë dhe firmat ndërtuese “MSA KONSTRUKSION”, “INTEREX ALBANIA” e “Klodi Sh.a”, të treja të skeduara nga agjencitë speciale për pastrim parash droge, por deri tani pa asnjë veprim nga institucionet e drejtësisë.

Më 28 qershor 2021, Viktor Ndoci, nëpërmjet gruas Mirela e vajzës Alma, ka krijuar firmën “Mavio Fashion”, me objekt import veshje e pajisje sportive; e cila sipas informacioneve, bënë transaksione në formë donacionesh, marrë nga 7 firmat e ndërtimit që kanë Ndoci e Braka.

Një informacion tjetër që ka ardhur në “Pamfleti”, thotë se Viktor Ndoci është në proces gjyqi për punë të pista, me Çështje Penale nr. 1569/2019 e Dosje Gjyqësore nr. 3691 nga gjyqtari Ilir Toska. Kaq për sot!/Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu