Jorgo Goro i Himarës skemë vjedhje me ish jursitin Elton Rondo, i jep pyllin Bule Kapajt motrës së kreut të këshillit bashkiak

0

Njëmbëdhjetë muaj më parë, kryeministri Edi Rama, në një mbledhje me drejtues të bashkive, e quajti “gjumash” Jorgo Goron, kryetarin e Bashkisë së Himarës. Fjalët e Ramës ishin të rënda, madje, ai tha se “kemi pamje të turpshme të Bashkisë Himarë, që është simboli i të fjeturit gjumë përballë plehut dhe maskarallëkut”.

Iu drejtua në sy Goros! Por, edhe pas kësaj “shuplake”, Goro ka vijuar i qetë detyrën, ndryshe nga homologu i Vlorës, Dritan Leli, që po përballet me neglizhencë nga eksponentë të mazhorancës.

Jorgua ka vijuar rutinën, teksa ka firmosur me dhjetëra procedura tenderuese të dyshimta. Dhe, për çudi, apo për ndonjë aferë të mundshme kriminale, fitues i shumicës së këtyre tenderave është familja e ish-juristit Elton Rondo.

Emri i z.Rondo është përmendur shpesh për lidhje të ngushta mes tij dhe Goros, aq sa paratë që duhet të shkonin për punë publike po shkojnë në xhepat e zyrtarëve apo ish-zyrtarëve. Një skemë e pastër, pasi ka dyshime të mëdha se ka një “marrëveshje” mes familjes Rondo dhe Goro.

Faksimile: Firma “Cogren”, në pronësi të nënës së ish-juristit, ka fituar një tjetër tender për ndërtimin e një parku në Borsh

Duket se “gjumashi” i Himarës zgjohet sa herë që duhet të firmosë tendera, pasi për papastërtinë, për zaptime pronash, për rrugët, për ujin e pijshëm, etj, etj, as nuk mundohet të reagojë. Me këto procedura, duket se drejtues i kësaj bashkie është Elton Rondo, i cili është një vizitor i rregullt i ambienteve të Bashkisë së Himarës. Ai është parë shumë shpesh në godinën e sapo rikonstruktuar, ndërsa nuk lë zyrë pa trokitur. Vallë, për t’i përshëndetur apo për t’u marrë firmat?

Disa punonjës të Bashkisë së Himarës, në kushte anonimati, kanë kontaktuar redaksinë e BoldNews.al, teksa kanë dhënë informacione për aferat Goro-Rondo. Sipas tyre, kjo dyshe përpilon dokumentet e tenderëve, i harton në bazë të firmave të vetë Rondos dhe më pas ai detyrimisht shpallet edhe fitues. Por, një dyshim më i madh ka të bëjë se Elton Rondo ka informacione nga brenda bashkisë për vlerën që ofrojnë firmat e tjera, ndërsa zarfi i tij hapet në fund!

Natyrisht, këto dyshime mund t’i faktojnë fare mirë institucionet ligjzbatuese, nga policitë, Prokuroria e Rrethit Vlorë apo edhe SPAK apo Byroja Kombëtare e Hetimit. Por, fakt është se paratë për këtë dyshe derdhen “lumë”.

BoldNews.al ka siguruar dokumentet e një tjetër tenderi, i cili ka rënë në duart e familjes së ish-juristit Elton Rondo. Në fund të muajit gusht, Bashkia e Himarës ka shpallur fituese firmën “COGREN” për tenderin e ndërtimit të një parku në Borsh. Sipas dokumenteve, kjo firmë, në pronësi 100 % të Fotina Rondos, e ka shpallur fituese të procedurës “ndërtimi i kompleksit sportiv rajonal, Borsh”. Fondi limit ishte 40 000 000, ndërsa bashkimi i operatorëve ekonomikë “COGREN” &  “A.E.K & Co” ofruan një vlerë prej 34.033.033 lekë.

Burime pranë Bashkisë së Himarës i thanë BoldNews.al se ka pasur oferta shumë të afërta me fituesin. Por, duket se klani Goro-Rondo ka vepruar, teksa ka dyshime të mëdha se letrat janë ndryshuar në moment të fundit, duke e shpallur “COGREN” edhe si fituese!

BoldNews.al ka raportuar edhe më herët për këtë aferë, ku Jorgo Goro, kryetari i Bashkisë së Himarës, vijonte t’i jepte tenderat e majmë nënës së Elton Rondo, i cili ka qenë një nga personat e besuar të Goros, gjatë kohës që ka qenë jurist në këtë institucion.

“Bashkë kanë hartuar dhjetëra procedura tenderuese përgjatë 7 viteve që Eltoni ka punuar në Himarë. Madje, sipas denoncimeve të mëparshme, nëna e tij, Fotina Rondo, ka fituar tendera edhe gjatë kohës që djali i saj ka qenë jurist. Janë rreth 15 tendera që Fotina, me kompaninë COGREEN dhe ELEKRI, ka fituar në Himarë, duke ngritur hije të forta dyshimi se gjithçka ka qenë e paracaktuar, madje në konflikt të hapur interesi”, raportonte BoldNews.al disa kohë më parë.

Tenderat kanë qenë që nga ndërtimi i ujësjellësve, pastrimi, ndërtime rrugësh, këndë sportive etj, etj. Shumica e procedurave ka qenë pa garë!

Pyll për motrën e kreut të këshillit bashkiak 

Në Himarë, shprehja “kush ka mik, ka çiflig”, vjen disi e moderuar: “kush ka mik kryetarin, merr një pyll thuajse falas”.

Kompania “Abeille’s Resort” është shpallur fitues në procedurën e hapur për dhënie me qira të 10 hektarëve pyll publik në zonën e Gjomollës.

Kompania është në pronësi të Bule Kapaj, motra e kryetarit të Këshillit Bashkiak të Himarës, Dhimitër Kapaj.

Megjithëse situata krijon dyshime se është në kushtet e konfliktit të interesave, Bashkia e Himarës dhe shoqëria private tashmë kanë nënshkruar kontratën 10-vjeçare. / Bold News

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu