Në një intervistë për Atlantic Council, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka ndarë opinionin e tij për rezultatet e zgjedhjeve dhe sfidat që shtrihen përpara Kosovës.
Hovenier, i cili ka kaluar 34 vjet në shërbimin diplomatik të SHBA-së ka theksuar se kushdo që merr drejtimin e qeverisë duhet të përmbushë zotimet nga dialogu me Serbinë, pjesë e të cilit është edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
Sipas Hovenier-it, rezultatet e zgjedhjeve tregojnë se Vetëvendosja ka mbajtur pozicionin e saj si partia më e votuar, por pa arritur numrat për krijimin e qeverisë si e vetme. Kjo, sipas tij, është një situatë më “normale” në krahasim me zgjedhjet e 2021, kur Vetëvendosja fitoi shumicën absolute. Hovenier thekson se koalicionet politike janë një realitet i gjatë në Kosovë dhe formimi i një qeverie të re do të kërkojë negociata të ndërlikuara.
Hovenier ka folur gjithashtu për marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së, duke theksuar se megjithëse ka pasur tensione në kohën e tij si ambasador, dy vendet kanë mbetur të lidhura nga qëllimet e përbashkëta. Ai theksoi se SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë qenë të përkushtuar në ndihmën e Kosovës për të avancuar drejt integrimit evropian dhe për të përmirësuar ekonominë e saj.
Duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Hovenier theksoi se Kosova ka një obligim për të zbatuar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, një çështje që ka qenë burim i tensioneve me aleatët perëndimorë. Ai kujtoi se Kosova u zotua për këtë marrëveshje që në vitin 2013 dhe se ky obligim nuk ka ndryshuar.
“Ka edhe zotime që ka marrë edhe Serbia, gjëra që duhet të bëjë, të cilat gjithashtu duhet të zbatohen. Ky zotim në lidhje me Asociacionin u përsërit fuqishëm në kontekstin e Marrëveshjes Bazike të 2023-ës dhe Aneksit të Zbatimit të saj. Nëse do t’i jepja këshilla Peter Sorensenit dhe Bashkimit Evropian, mendoj se mënyra më e mirë për të ecur përpara është të mos negociosh zotime të reja tani, sepse ajo që u arrit në vitin 2023 është një paketë mjaft mbresëlënëse. Thjesht mungon plotësisht në zbatim. As Kosova dhe as Serbia nuk i kanë marrë seriozisht obligimet për zbatimin e zotimeve”, tha Hovenier në Atlantic Council.
Sipas tij zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese është thelbësor për të avancuar dialogun dhe për të përmirësuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Hovenier theksoi se mbështetja e SHBA-së është thelbësore për Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. Ai kujtoi se vendimet në këto organizata merren me konsensus, dhe prania e mbështetjes së SHBA-së është jetike për të siguruar një progres të qëndrueshëm.