Dosjet e diktaturës/ “Zdrukthi”, pseudonimi i Ibrahim Rugovës që takohej me “Dragoin” dhe “Beretën” në Tiranë

0

Në mesin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit Shqiptar interesant është edhe raporti sekret i datës 20.3. 1980. Për të mos u zbuluar identiteti i punëtorit operativ, ishte përdorur emri i koduar, ashtu sikurse edhe për Ibrahim Rugovën, për të cilin ishte përdorur pseudonimi “Zdrukthi”. Po kështu paraqiten edhe shoqëruesit e Rugovës, ndërsa i ngjiten pas bashkëpunëtorët, intelektualët “Dragoi” dhe “Bereta”. “Dragoi” madje i paguan edhe kafetë me mirësjellje e këmbëngulje heroike
Agjentët e atëhershëm të Drejtorisë së Tretë, sikurse vizitorët e tjerë të huaj, edhe Ibrahim Rugovën e ndiqnin kudo që shkonte dhe me këdo që takohej ose bisedonte. Për këtë hartoheshin informacione dhe raporte, të cilat sistemoheshin për përpunim të mëtutjeshëm. Në kuadër të kërkimeve të mia shkencore, me qëllim të trajtimit të qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj çështjes së Kosovës në vitet ‘70 dhe ‘80, në vitet 2019 dhe 2020 pata mundësinë që, për nevoja shkencore, të shihja nga afër dhe të lexoja raporte e dokumente të hartuara nga Sigurimi i Shtetit Shqiptar në periudhën e diktaturës socialiste. Edhe pse prisja që fashikulli i Ibrahim Rugovës do të përmbante një material voluminoz dhe informacione të shumta, realiteti ishte krejt ndryshe.

Informacionet për Rugovën nuk ofrojnë diçka të veçantë, por, para së gjithash, shpërfaqin interesimin e shtetit shqiptar për ta bërë për vete elitën intelektuale shqiptare në Kosovë, e cila në fushën e studimeve albanologjike kishte bërë përparime të mëdha për më tepër kishte qasje dhe komunikim me studiues dhe albanologë nga vende të ndryshme të botës. Ndërkohë studiuesve shqiptarë u mungonin liria e udhëtimit dhe liria e krijimtarisë, edhe pse jetonin brenda shtetit të tyre kombëtar, shkruan Koha Ditore.

Sigurimi i Shtetit

Asokohe Ibrahim Rugova përfaqësonte një figurë të re në elitën intelektuale kosovare dhe si përkrahës i rrymës moderniste në letërsi që krijohej në Kosovë, ashtu si artistë dhe krijues të tjerë shqiptarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, ishte vënë në llupën e Sigurimit të Shtetit Shqiptar.

Nga sa u tha më lart, mendoj se këto ishin arsyet përse ai dhe intelektualë të tjerë shqiptarë nga Kosova ishin objekt i laboratorit të policisë sekrete shqiptare:

të parandalohej çfarëdo ndikimi i intelektualëve shqiptarë nga Kosova në krijimtarinë e intelektualëve shqiptarë në Tiranë;

të krijohej bindja se modeli i sistemit komunist shqiptar kishte avantazh ndaj atij jugosllav;

të survejoheshin në mënyrë permanente nëse intelektualët shqiptarë nga Kosova ishin të përfshirë në veprimtari agjenturore në dobi të Shërbimit Sekret jugosllav, respektivisht nëse ata mbanin lidhje apo komunikim me diplomatët e Ambasadës së Jugosllavisë në Tiranë;

kontrollohej korrespondenca e tyre me studiuesit shqiptarë, por edhe me ata të vendeve të ndryshme të botës (sidomos me ata nga vendet borgjeze kapitaliste), duke përfshirë edhe studiuesit shqiptarë në mërgim, kundërshtarë të regjimit si Martin Camaj, Ernest Koliqi e të tjerë; përmes kontakteve të drejtpërdrejta, literaturës e metodave të realizmit socialist dhe instruktimeve të ndryshme të ndikohej në krijimtarinë e studiuesve shqiptarë nga Kosova, me qëllim që ata t’iu shmangeshin metodave moderniste dhe “borgjeze”.

Dosja e Sigurimit të Shtetit/ “Zdrukthi”, pseudonimi i Ibrahim

Raportet dhe informatat për Rugovën

Raporti më i hershëm i Sigurimit të Shtetit Shqiptar për Ibrahim Rugovën i përket 6 shatorit të vitit 1968. Në raport, i cili mbështetet në informacionet e një emigranti kosovar në Shqipëri, ofrohen të dhëna të përgjithshme biografike për Rugovën dhe origjinën e tij familjare, duke nënvizuar se babanë dhe gjyshin e tij ia kishin vrarë serbët. Raporti vazhdon me konstatimin se Rugova, i cili gëzonte mbështetjen e shkrimtarit të njohur Esad Mekuli, me shkrimet e tij i kishte rënë në sy edhe redaksisë së gazetës “Rilindja”, e cila, sipas dokumentit, ia kishte ndarë një bursë për t’i ndjekur mësimet në shkollën e mesme, por më vonë, për shkak të denoncimit të titistëve, i ishte ndërprerë, duke marrë parasysh biografinë familjare. Në të njëjtin dokument, ndër të tjera, është veçuar e dhëna se për Rugovën kishte pritje të mëdha nga të rinjtë shqiptarë, ngase ai kishte një formim të mirë intelektual dhe kombëtar dhe se ishte kryetar i studentëve nga Komuna e Istogut.

Nisur nga të gjitha impenjimet e Sigurimit të Shtetit lidhur me figurën e Rugovës, dy vjet më pas, 10.7.1971, në fashikullin e tij gjejmë një relacion tjetër që bazohet në informatat e Drejtorisë së Tiranës. Sipas këtij dokumenti, mësojmë se në këtë periudhë Rugova ishte student i vitit IV në Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Prishtinës dhe redaktor në gazetën studentore “Bota e Re”. Ky dokument i përket periudhës kur Rugova e realizoi vizitën e tij në Shqipëri, ku qëndroi nga data 24 maj deri më 4 qershor 1971. Ishte kjo periudhë kur ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë kishte një intensifikim të raporteve politike, kulturore dhe ekonomike, si rrjedhim i “shkrirjes së akujve” në bashkëpunimin ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Të dyja vendet, më 1970, kishin ngritur përfaqësitë e tyre diplomatike në Tiranë, përkatësisht në Beograd, në rang të ambasadave.

Në këtë klimë pozitive dhe të shtendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve fqinje, artistë, studentë, shkrimtarë dhe studiues të rinj nga Kosova e vizitonin Shqipërinë socialiste, për t’i shkëmbyer eksperiencat e tyre, sidomos në shkencat shoqërore dhe në fushën e studimeve albanologjike. Në këtë kuadër është edhe kjo vizitë e Rugovës dhe e intelektualëve të tjerë shqiptarë nga Kosova dhe nga viset e tjera etnike nën Jugosllavi. Me gjithë relaksimin e këtyre raporteve, Sigurimi i Shtetit vazhdonte të ishte i vëmendshëm ndaj çdo pjesëtari të elitës kulturore shqiptare që hynte në Shqipëri.

Takimi te “Dajti” me “emigrantin kosovar”

Në relacionin e përmendur më sipër, i nxjerrë nga informata e Drejtorisë së Tiranës, shkruan se Ibrahim Rugova, gjatë qëndrimit në Shqipëri, kishte shprehur dëshirën të takonte edhe një emigrant kosovar, të cilin, siç konstaton ky dokument, e kishte pasur shok klase. Duket se kjo kërkesë e Rugovës nuk ishte mirëpritur nga autoritetet shqiptare, pasi ky emigrant ishte në llupën e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, për shkak se e konsideronin agjent të mundshëm të shërbimit jugosllav. Duke qenë në shënjestër të Sigurimit të Shtetit, në këtë dokument theksohet se emigranti kosovar vazhdimisht i qëndronte afër Rugovës, madje e kishte vizituar edhe në dhomën e banimit në hotelin “Dajti”, ku shoqëruesit e Sigurimit po ndiqnin çdo kontakt dhe bisedë të studiuesve kosovarë. Në shënimin e nxjerrë nga informacioni i Drejtorisë së Tiranës nr. 2084, i datës. 8 .6. 1971, nga bisedat e bp. “Shpati” del që emigranti kosovar, duke biseduar me Ibrahim Rugovën dhe me studentët e tjerë kosovarë, u ka thënë: “Ata paskan marrë vesh se vitin e kaluar Ismail Kadare në Fakultetin e Mjekësisë paska thënë që letërsia tani në Kosovë është në nivelin e viteve të 30-ta te ne (Shqipëri) dhe se ata qenkan indinjuar shumë. Po ashtu, janë indinjuar edhe të tjerët në Kosovë”.

Tre vjet më vonë, më 1974, punëtori operativ i Sigurimit të Shtetit, J. D., dërgon një raport sekret interesant, në të cilin bëhet fjalë kryesisht për shkrimet politike të Teki Dervishit në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, ku, më pas, jepnin kontributet e tyre edhe të tjerët, duke u fshehur gjithmonë prapa emrit të Tekiut. Më tej thuhej se Teki Dervishi ishte pranuar si gazetar i rregullt në gazetën “Flaka e Vëllazërimit”, duke trajtuar në të tema të ndryshme që do të bënin jehonë në Kosovë e Maqedoni.

Dokumenti tjetër i të njëjtit vit, 1974, po ashtu, bën fjalë për bisedat e Rugovës me emigrantin kosovar në Tiranë, i cili, sipas punëtorit operativ shqiptar, kishte probleme me autoritetet jugosllave të asaj periudhe, në radhë të parë për shkrimet dhe problemet që Rugova i trajtonte në gazeta dhe revista. Përveç kësaj, dokumenti pohon se Rugova e kishte ndihmuar Kadri Osmanin për vazhdimin e studimeve, pas lirimit të tij nga burgu, duke i siguruar materiale studimore. Për aq sa mund të bazohemi në këtë dokument, pohohet se në grupin e Rugovës bënin pjesë: Mark Krasniqi, Rexhep Qosja, Syrja Pupovci, Fehmi Agani, Dervish Rozhaja, Idriz Ajeti, Anton Çetta e të tjerë.

Ndërkaq informata e 21 qershorit 1974 na ofron të dhëna të përgjithshme për Rugovën, duke nisur me shënimin se ai “erdhi në vendin tonë më 26.5. 1974, i ftuar nga Instituti i Gjuhës dhe i Letërsisë, dhe qëndroi në vendin tonë deri më 7 korrik 1974. “Kosovari Ibrahim Rugova kishte ardhur edhe dy herë të tjera në Shqipëri, ky ishte më i përmbajtur, por, megjithatë, në një bisedë të përbashkët kishte thënë se është vërtet e habitshme t’i kthesh gurët në tarraca pjellore”, thuhet në raportin sekret të Sigurimit të Shtetit.

Shënimi pas vizitës në Berat, pseudonimi për Rugovën

Gjatë këtij qëndrimi në Shqipëri, të shoqëruar nga një zyrtar shqiptar nga Tirana, Rugova së bashku me Muhamet Pirrakun do ta vizitonte edhe qytetin e Beratit. Sigurimi i Shtetit, po ashtu, kishte marrë edhe shënimin që kishte lënë Rugova gjatë vizitës së tij në Muzeun e qytetit: “E vizituam këtë muze të artit arkitektonik të rrethit të Beratit, që shpreh shpirtin krijues popullor të popullit tonë. Respekt të veçantë kujdesit të këtij shteti e shoqërie ndaj kësaj kulture”, ishte ky shënimi që Rugova kishte lënë në Muzeun e Beratit.

Në mesin e dokumenteve, interesant është edhe raporti sekret i dt. 20.3. 1980. Për të mos u zbuluar identiteti i punëtorit operativ, ishte përdorur emri i koduar, ashtu sikurse edhe për Ibrahim Rugovën, për të cilin ishte përdorur pseudonimi “Zdrukthi”. Po kështu paraqiten edhe shoqëruesit e Rugovës, ndërsa i ngjiten pas bashkëpunëtorët, intelektualët “Dragoi” dhe “Bereta”. “Dragoi” madje i paguan edhe kafetë me mirësjellje e këmbëngulje heroike. “Në orën 7:00 filloi survejimi në pritje të daljes së objektit (Ibrahim Rugova). Në vazhdim të raportit shkruhet për lëvizjet e Rugovës të dt. 22 mars 1980, ishte periudha që përkonte me vizitën e tij të tretë në Tiranë. Aty theksohej se Rugova ishte parë ulur në një tavolinë të kafesë së Pallatit, i shoqëruar nga dy shoqërues shqiptarë, me pseudonim “Sharra” e “Çekiçi”, dhe një kosovar tjetër i grupit, duke shënuar se pas 05 vjen një person në tavolinën e tyre që mbante pseudonimin “Bereta”, një intelektual dhe bashkëpunëtor i vjetër i gjuhës shqipe. Aty takohen me të gjithë, duke ia dhënë dorën. Në këtë vëzhgim të agjentëve të Sigurimit të Shtetit bënte pjesë edhe personi me emrin e koduar “Bereta”, një intelektual dhe bashkëpunëtor i vjetër i shkencave të albanologjisë.

Siç shihet nga ky dokument, Ibrahim Rugova, gjatë qëndrimit në Shqipëri, banonte në hotelin “Dajti”, një vend që përgjohej dhe survejohej më së shumti nga Sigurimi i Shtetit. Në të vërtetë, ky banim në një hotel të tillë shërbente si vend për t’i mbajtur larg kontaktit me njerëz të masave, por edhe me studiues homologë shqiptarë. Po ashtu, siç është kuptuar më pas, hoteli “Dajti” ishte vendi më i shigjetuar nga pjesëtarët e Sigurimit të Shtetit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu