Ministrja e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin Elisa Spiropali ka reaguar pas lajmit që po qarkullon prej disa ditësh në media se kryedemokrati Lulzim Basha ka ndërruar banesë duke shkuar në një zonë periferike në kryeqytet, në rezidencat luksoze të Long Hill ndërtuar nga Gon Papuli.
Përmes një video të publikuar në ‘Façebook’, ajo deklaron se Basha u ankua se historia e vilave të tij qenka sajuar nga qeveria.
Sipas Spiropalit, qeveria nuk ka kohë të merret me Bashën, por Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive sot, si dhe SPAK-u nesër duhet të merren me këtë histori tipike për njeriu që është bërë simbol i asaj shprehjes ‘bëni si them unë, mos bëni si bëj unë’.
Ministrja shton se politikisht Basha nuk e ka problem të bjerë në gropë e të bërtasë ‘Fitore’, ndërsa ligjërisht do ta ketë me siguri shumë më të vështirë ta kalojë historinë e dy vilave, atë gjysmë milion dollarë të pajustifikuar.
Fjala e plotë e Spiropalit:
Lulzim Basha u ankua se historia e dy vilave të tij na qenka sajuar nga qeveria.
Tani, imagjinoni Edi Ramën, a kë të doni nga rradhët tona, që thotë më zuri frika nga tërmeti dhe ika mora dy vila me qira në një nga zonat më të shtrenjta të Shqipërisë.
Parafytyrojeni vetë tani se çfarë cikloni balte do të kishte rënë mbi Shqipëri dhe çfarë do kishin nxjerrë nga grykat tërë murtajat e opozitës, duke nisur nga gryka e Lulzim Bashës. Por më e bukura është se askush nga qeveria, por as nga Partia Socialiste s’ka thënë akoma asgjë për dy vilat e Lulzim Bashës, ndërkohë që Lulzim Basha akuzon qeverinë, se e ka sajuar këtë histori.
Por çfarë ka sajuar qeveria? Tërmetin që paska lëkundur e trembur aq shumë Lulin sa të ikë nga një apartament e të marrë dy vila?
Apo mos vallë ka sajuar qeveria faktin se Luli qenka i vetmi që e paska tronditur tërmeti dhe ia paska bërë të pabanueshëm tripleksin e tij mbi një pallat ku s’ka asnjë shenjë tërmeti?
Ose pastaj qeveria ka sajuar faktin që Luli merr dy vila me qira tek lagjja ekskluzive e ndërtua nga njeru që vetë Luli e ka bërë copë e çikë si oligark, ndërkohë që nga ana e tij Luli s’tregon asnjë kontratë qiraje.
Në të vërtetë, qeveria s’ka kohë të merret me Lulzim Bashën, por Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive sot, si dhe SPAK-u nesër duhet të merren me këtë histori tipike për njeriu që është bërë simbol i asaj shprehjes “beni si them unë, mos bëni si bëj unë”.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/