Ambasadore, hajdutët tanë i njohim ne…

0

Shkruan Sokol Pepushaj

Yuri kim s’ka si ta njohë Edi Ramën për hajdut, pasi nuk ka vjedhur atë, por shqiptarët. Këtej, secili e ka kapur hajdutin e vet, e njeh mirë, e ka komshi.

Yuri Kim ka të drejtën e vet, të sillet e mbështillet brenda kontureve të diplomacisë; të mos besojë çfarë shikon dhe të mos shikojë çfarë  beson. Duam apo jo, e ka një ingranazh diku ky mekanizëm që shtiret si organizëm. Njerëzia mbushet nga ato që ende nuk i sheh, sidomos në vende ku secili vjedh për vete e të gjithë punojnë për ata që mashtrojnë, edhe diplomatët.

Në 32 vitet e fundit, nuk ka as edhe një hajdut e kriminel, që nuk kishte ose zyrë shteti ose suport nga zyrtarë shteti, apo jemi gabim? Prandaj diplomatët nuk i shohin as hotelet ku shkojnë, as pasuritë e tyre, as veshjet firmato, as makinat e parfumet e shtrenjta, që edhe një idiot e di se nuk bëhen kurrsesi, veçse me “kap ç’të kapësh” nga fondet publike.

As Amerika nuk e ka të lehtë me Edi Ramën.

Nuk do të ishte pa sens që edhe shqiptarët ta stakonin “relenë “e trurit, krejt si ambasadorja Yuri Kim, pra, të qetësoheshin paksa, të mos besonin ato që shohin. Se janë të frikshme, të tmerrshme veprimet kriminale të 4 Klaneve Mafioze që përditë vetëm vjedhin taksat dhe pasuritë publike, haptas dhe nën ombrellën e diplomatëve të huaj që rrinë këtu tre vjet dhe ikin e s’duan t’ia dinë fare ç’lënë pas.

Deri sot, çdo hajdut e kriminel i arrestuar në Glob, del i lidhur me politikën shqiptare, siç çdo vrasje me pagesë, me Ilir Metën.

Nëpër këto dilema, vodhi a nuk vodhi Rama, porositën vrasje apo jo Meta e Berisha, mban fjalime kundër korrupsionit apo jo në mes të hajdutëve ambasadorja Kim, po çapiten shqiptarët.

Aq e zbehtë ngjan pika mbi i, sa ti nuk e di, është aty ku Edi Rama thërret 200 parazitë dhe i shkel ambasadores syrin e Saliut, të djathtin, me kodin që ajo e deshifron, se kjo sallë plot, është inovacion i Edi Ramës dhe sukses i qeverisë kundër krimit, apo tek tre milion varfanjakët që çirren rrjeteve sociale se Rama me të tijtë s’bën punë tjetër veçse vjedh e mashtron.

Po përtej dilemave?

Ju që njihni hajdutët tuaj emër për emër, nuk njihni hajdutët e hajdutëve, prandaj merrini punët shtruar e mos u nxehni. Që ta dini, siç vuani ju, vuajnë edhe hajdutët tuaj.

Ju jeni diçka më mirë se ata madje. Politikanët, pushtetarët e zyrtarët, dy-tre vite burg do i bënin me qejf, si dikur ushtrinë, po nuk e mbyllin me aq.

Të shkretët ata, e mbajnë shpirtin në grusht, se mos ndeshen në Sali Berishën, Edi Ramën, Ilir Metën, prokurorin apo gjykatësin. Po i kapën ata, pa e fshehur gjënë e vjedhur, ua marrin fët e fët dhe u duhet të vijnë prapë tek ju, tek tenderi, shkolla, kopshti, rruga, ndihma ekonomike.

Në kushte normale vjedhjeje, të tërë fitojnë nga pak. Zyrtarët hajdutë, shkojnë vetë dhe e dorëzojnë “racionin” tek shefat.

Pra, kanë të drejtë tërë kryeministrat që betohen se nuk ja futën dorën në xhep askujt. Jo veç Kryeministrat, Presidentët, ministrat, deputetët, por as krye- bashkiakët, krye- policët, krye-hajdutët nuk vjedhin, prandaj edhe shtrohen në biseda, dreka e darka me ambasadorë perëndimorë, duke acaruar nervat e viktimave të tyre, që fërkojnë sytë e prekin xhepat bosh, kur i shohin ekraneve.

 

As kryebashkiakët nuk vjedhin, por prona, shtëpi, hotele, para nëpër banka, jetë luksi, kanë sa nuk e dinë as ata vetë sesa.

Për pjesën e parë të arsyetimit, se zyrtarët nuk vjedhin, e kishte llafin ambasadorja Yuri Kim kur lëshoi fletënderin me motivacionin:

“Kënaqësi që ndodhem këtu dhe do doja të falënderoja kryeministrin dhe ministre Milva Ikonomin që organizuan këtë aktivitet. Më duhet në fakt të hamendësoj që nga salla e mbushur plot këto, që kjo nënkupton që qeveria e Shqipërisë është shumë e përkushtuar kundër korrupsionit në një mënyrë që tejkalon përkushtimin e mëparshëm. Për këtë duhet t’ju përgëzojmë dhe t’ju nxisim. Është vërtetë e stërmadhe”.

Nëse ambasadorja sillet e mbështillet brenda kontureve të diplomacisë, duke mos besuar ato që i shikon me sy, se Edi Rama e Milva Ikonomi  janë milionerë, megjithëse rrogat i kanë më të vogla se të ardhurat e një kamerieri, atëherë t’i lënë tre milion shqiptarë në të drejtën e mendimit të tyre. Të gjithë, po të gjithë ama, e kanë një apel të fortë; ambasadore, hajdutët tanë i njohim ne, edhe Edi Ramën./Pamfleti

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu