Britania e Madhe po e pranon se largimi nga Europa ishte një gabim historik

0

Shkruan Zef Ndreka

Ngjarjet e 20 nëntorit 2026 në Bruksel janë një zhvillim me rëndësi të veçantë politike dhe ekonomike për Europën. Britania e Madhe nuk ka vendosur të rikthehet në Bashkimin Europian si anëtare, por ka vendosur të rikthejë dhe të thellojë marrëdhëniet me BE-në, duke negociuar marrëveshje të reja në disa fusha strategjike.
Marrëveshjet kryesore përfshijnë krijimin e një hapësire të përbashkët për standardet ushqimore dhe bujqësore, duke lehtësuar tregtinë, lidhjen e sistemeve të tregtimit të emetimeve të karbonit. Gjithashtu, një skemë të re lëvizjeje për të rinjtë, që mundëson qëndrimin dhe punën deri në tre vjet, për deri në 100 mijë të rinj nga secila palë.
A dështoi Brexit kështu?
Mendoj se zhvillimet e fundit po e vënë gjithnjë e më shumë në pikëpyetje projektin politik të Brexit-it.
Britanikëve iu premtua se largimi nga BE-ja do tu sillte më shumë sovranitet, më shumë kontroll mbi kufijtë, më shumë pavarësi ekonomike dhe mundësi më të mëdha zhvillimi.
Por realiteti rezultoi shumë më kompleks. U shtuan pengesat tregtare, u vështirësuan marrëdhëniet ekonomike, u krijuan probleme për bizneset dhe u dobësuan disa prej lidhjeve që kishin funksionuar për dekada.
Sot, Londra po negocion sërish për të rikthyer një pjesë të lehtësive që kishte humbur.
Britania u largua nga Europa për të fituar më shumë liri ekonomike, por tani po negocion për tu afruar përsëri me tregun, me rregullat dhe me bashkëpunimin europian.
Megjithatë, nuk duhet ngatërruar afrimi me rikthimin. Britania mbetet jashtë BE-së dhe nuk ka nisur një proces zyrtar anëtarësimi.
Ky është një mësim politik për Europën.
Brexit-i ishte një nga eksperimentet më të mëdha politike të dekadave të fundit në Europë. Ai tregoi se populizmi, nacionalizmi dhe premtimet e thjeshtuara mund të fitojnë një referendum, por nuk janë në gjendje të ofrojnë zgjidhje për problemet që kanë shoqëritë.
Historia e Brexit-it na kujton se integrimi europian nuk është vetëm një marrëveshje ekonomike. Është një projekt paqeje, sigurie, zhvillimi dhe bashkëpunimi politik.
Britania nuk është kthyer ende në Europën institucionale, por po kthehet gjithnjë e më shumë drejt Europës politike dhe ekonomike.
Ndoshta ky është pranimi më domethënës se shkëputja nuk ishte zgjidhja që iu premtua qytetarëve britanikë…

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu