Në shkurt të këtij viti, Engjëll Agaçi, i portretizuar si Rasputini i qeverisë Rama, para të cilit Ron Yeffet dhe Gys Agasi duken amatorë, dha dorëheqjen nga detyra e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, post që e mbante prej vitit 2013, duke u bërë një nga funksionarët më jetëgjatë dhe më me pushtet në këtë pozicion.
Herë me fakte dhe herë me aludime, Agaçit i janë atribuar një sagë aferash korruptive, ndërsa emri i tij është lakuar herë pas here si goditja e madhe e SPAK-ut, madje nga opozita ka pasur edhe pretendime se është arratisur.
Prezenca e tij në takimin e shefave të krimit të organizuar në Aruba, për trafikun ndërkombëtar të drogës dhe pastrimin e parave në ndërtim, përfshirë edhe Zvërnecin, nuk ishte befasi. E kundërta ndoshta do të ishte e pazakontë.
Disa evidenca dhe sinjalizime sugjerojnë se Ëngjëll Agaçi, përmes një kompanie të fshehtë në Holandë, është dora e një skeme të madhe mashtrimi me zhdoganimin e naftës, duke shmangur akcizën, me vlerë mbi 200 milionë euro. Paratë produkt i aktivitetit kriminal po tentohen të pastrohen në Zvërnec, përmes një karteli kompanish.
Duke falsifikuar dokumentet e origjinës, miliona litra naftë e zakonshme diesel është deklaruar dhe zhdoganuar biodiesel, duke përfituar lehtësira tarifore, duke shmangur pagesën e akcizës, taksën e karbonit dhe të qarkullimit, që përbëjnë rreth 60 % të çmimit final. Lehtësirat fiskale për gjoja biodieselim e pastër parashikohen për të nxitur përdorimin e energjive të rinovueshme dhe në kuadër të direktivave për përafrimin me BE-në.
Sipas burimeve, agjencitë partnere të zbatimit të ligjit kanë sinjalizuar SPAK dhe kryeministrin Edi Rama për mashtrimin e madh, ndërsa më herët kompania austriake OMV, një nga distributorët më të mëdhenj të karburanteve në Evropë kishte kërkuar dokumentacionin e zhdoganimit të naftës, duke u përballur me refuzim nga pala shqiptare.
Evidencat dhe sinjalizimet konfirmojnë se Engjëll Agaçi ka lidhje të posaçme me skemën e shitjes së naftës bruto të Albpetrolit kryesisht në Spanjë nën çmimin e bursës Brent të publikuar sipas buletinit PLATTS, duke ulur pagesën e rentës minerare (taksë kombëtare) dhe ndikuar në llogaritjen e tatim fitimit për pjesën e vlerës se shitjeve dhe të ardhurave.
Kjo skemë mashtrimi po zbatohet përmes kompanisë AIR BP ALBANIA, që ka monopolin e furnizimit të avionëve me karburant, por që ka hyrë fuqishëm edhe në tregun e eksportit të naftës, kryesisht duke shitur prodhimin nga Albpetrol. AIR BP ALBANIA kontrollohej deri në vitin 2022 nga shoqëria holandeze BP Holding International B.V.
Ustallarët shqiptarë i bllokuan rinovimin e licences për monopolin e karburanteve të avionëve. Për të vijuar biznesin në Shqipëri, kompania u detyrua të ndante paratë.
Ajo i shiti, në fakt i dhuroi, 50 % të aksioneve kompanisë United Word Technologies B.V., për 300 mijë euro. Pra, një kompani me fitim miliona euro, me llogari bankare mbi 10 milionë euro, shet 50 % të aksioneve për 300 mijë euro.
Pronarët e kompanisë blerëse mbetën sekretë, duke shkelur ligjin për pronarët përfitues, ndërsa përfaqësohen nga dy konsulentë taksash në Holandë, Zoya Gyurova dhe Nikita Vinogradov.
Sipas burimeve, kompania guackë United Word Technologies B.V, kontrollohet nga dy kompani të tjeta fantazmë në Holandë, njëra nga të cilat ka si pronar të Engjëll Agaçin. Ky i fundit, në bordin e kompanisë së ‘shqyer’ nga ustallarët shqiptarë, ka futur mikeshën e tij, Elena Pici.
Fillimisht, Agaçi e bëri Elena Picin sekretare të përgjithshme të Ministrisë së Brendshme dhe më pas e mori në Kryeministri, si koordinatore e zyrës së tij. Më pas e çoi për kontrollin e kompanisë AIR BP ALBANIA.
Përmes kompanive guackë në Holandë, Agaçi bashkë me personazhe të tjerë, përfitojnë miliona euro nga monopoli dhe skemat e mashtrimit, duke i pastruar në pasuri të paluajtshme.



