Shkruan Zef Ndreka
Është më e lehtë të mobilizosh njerëz kundër një diçkaje se të ndërtosh një alternativë të qëndrueshme pas saj.
Çdo mbrëmje i ndjek protestat anonime të organizuara në Tiranë. Kam shkruar disa herë për to dhe mbështes kërkesat për transparencë dhe presionin që i bëhet qeverisë. Ashtu, siç edhe jam kundra saj me argumente që i kam bërë publike, sidomos për manipulatorët.
Protestuesit, kanë filluar të artikulojnë më fort fjalën revolucion!
Dhe pyetja që iu bëj: a e dijnë protestuesit dhe organizatorët se çfarë është revolucioni?! Më tej, përse këtë fjalë po e përdorin shpesh e më shpesh në politikë, pa iu sqaruar më parë protestuesve se çfarë do të thotë kjo fjalë në demokraci?!
Për ndjekësit e mi, në kuptimin klasik, revolucioni është përmbysje e një rendi politik, ekonomik ose shoqëror dhe zakonisht lidhet me thyerje të institucioneve ekzistuese.
Në demokraci, ndryshimi normal pritet të vijë vetëm përmes zgjedhjeve, përmes partive, përmes protestave, përmes referendumëve dhe institucioneve, por asnjëherë përmes revolucioneve.
Prandaj, nga kjo protestë e manipuluar ka lindur paradoksi, ku në një vend si Shqipëria ku ka zgjedhje të lira, ka parlament, ka media të lira dhe të drejtë proteste, çfarë nënkupton thirrja për “revolucion”? Për disa prej protestuesve dhe organizatorëve, siç duket fjala revolucion, nënkupton reformim të thellë të sistemit, se nuk spjegohet ndryshe. Për të tjerë të përzier në protestë, nënkupton rrëzim të elitave politike. Kurse e verteta është se e përdorin vetëm si slogan mobilizues.
Megjithatë, protestat konkrete në Shqipëri dhe jashtë saj, kanë shkaqe më të ndërlikuara se sa përplasje brënda vendit apo rrjeteve të ndikimit ndërkombëtar.
Por, kalojmë tek problemi thelbësor i këtij shkrimi:
çfarë kërkon protesta të ndërtojë pas revoltës?
A e dijnë protestuesit dhe organizatorët atë që na e ka mësuar shpesh herë historia, se është më e lehtë të mobilizosh njerëzit kundër diçkaje sesa të ndërtosh një alternativë të qëndrueshme pas saj?
Në çdo vend demokratik, revolucioni më i fuqishëm nuk është ai i rrugës, por ai i kutisë së votimit, kur qytetarët ndryshojnë balancat politike me votë dhe i detyrojnë elitat të përshtaten me vullnetin e tyre.
Çdo rrugë tjetër, ska lidhje me demokracinë.



