Shkruan Zef Ndreka
Totalitarizmi nuk shkatërron vetëm lirinë, por shkatërron edhe aftësinë për ta imagjinuar lirinë si gjëndje reale.
Brënda internacionalizmit të frikës, njeriu ecën jashtë vetës dhe Zoti President, Zoti Kryeministër apo Mbreti, kushdo qoftë, është kudo pa qënë i pranishëm.
A jemi ne shqiptarët në këtë habitat, këndej dhe andej kufirit?!
Kështu më shkruajti një miku im, poeti Frrok Kovaçi, i cili sapo kishte mbaruar së lexuari librin “Zoti President” te M. Asturias.
Pyetja e tij, më vuri në mendime pasi preku një nga dramat më të mëdha të shoqërive post-totalitare, jo vetëm frikën nga pushteti, por normalizimin e frikës si mënyrë jetese. Vendosa ti përgjigjem gjatë poetit, njeriut të lirë, përmes këtij shënimi që mori trajtën e një komenti apo analize.
I dashur poet!
Totalitarizmi nuk triumfon vetëm kur ndalon fjalën e lirë, por ai triumfon plotësisht kur qytetari fillon ta censurojë vetveten edhe pa praninë e drejtpërdrejtë të shtetit. Atëherë çdo totalitarist, qoftë President, Kryeministër apo Mbret, është kudo pa qenë i pranishëm, sepse pushteti futet thellë në psikologjinë kolektive.
Ashtu si popujt e tjerë të shtypur edhe ne shqiptarët, si këndej ashtu edhe andej kufirit, mbajmë ende gjurmë të këtij habitati historik. Jo domosdoshmërisht në formën klasike të diktaturës, por në forma të reja, si frika për të mos humbur vendin e punës, nënshtrimi ndaj liderit, adhurimi i individit mbi institucionin,
polarizimi ekstrem politik, bindja se pa një njeri të fortë nuk bëhet shteti dhe sidomos humbja e besimit se vetë qytetarët mund të ndryshojnë realisht sistemin.
Në Shqipëri, hija e diktaturës komuniste vazhdon të ndikojë në kulturën politike. Ndërsa në Kosovë, për shkak të historisë së luftës dhe tensioneve të vazhdueshme kombëtare, shpesh patriotizmi përzihet me intolerancën ndaj mendimit ndryshe. Në të dy anët e kufirit, partitë politike shpesh ndërtohen rreth figurave të forta dhe jo rreth institucioneve demokratike.
Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët jetojnë sot në totalitarizëm klasik. Sepse ka pluralizëm, ka media, ka zgjedhje dhe hapësira lirie. Por gjithnjë ekziston rreziku i një kulture politike që prodhon nënshtrim emocional ndaj pushtetit duke iu larguar qytetarisë aktive. Pikërisht këtu fillon “internacionalizmi i frikës” që ju e përmendët. Pikërisht kur individi e humbet boshtin e vet moral dhe jeton duke parë gjithmonë nga pushteti.
Megjithatë, fakti që ju poet më keni bërë një pyetje të tillë, që bëjmë debat publik, që bëjmë shpesh kundërshti dhe reagojmë si qytetar, më bind se aftësia për ta imagjinuar lirinë nuk është shkatërruar plotësisht. Në të kundërt, shoqëritë që nuk e imagjinojnë më lirinë, nuk e diskutojnë fare atë…



