Doktori dhe pedagogu Admir Sinamati i ka kushtuar një postim prekës studentes Bora Keçi, e cila humbi jetën tragjikisht së bashku me të atin në një aksident me makinë.
Në reagimin e tij, ai shpreh dhembjen për humbjen e parakohshme të një studenteje të përkushtuar dhe të një familjeje që i kishte shërbyer komunitetit mjekësor.
Sinamati thekson se Bora Keçi do të mbahet mend si një studente shembullore, ndërsa humbja e saj dhe e të atit janë një goditje e rëndë për familjen, komunitetin mjekësor dhe të gjithë ata që e njohën.
Pedagogu ka publikuar edhe një provim të të ndjerës në lëndën e Etikës dhe Deontologjisë Mjekësore, ku ajo mori një notë të shkëlqyer.
Postimi i Doktor Sinamatit
Para dy ditësh me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për ndarjen e parakohshme nga jeta të studentes së Fakultetit të Mjekësisë Bora Keçi, së bashku me të atin e saj, mjek, në një aksident automobilistik.
Është e vështirë të gjenden fjalët e duhura përballë një humbjeje kaq të rëndë, ku jeta e një studenteje të re, plot ëndrra, përkushtim dhe shpresë për të ardhmen, ndërpritet në mënyrë kaq tragjike, bashkë me jetën e prindit të saj, njeriut dhe mjekut që i kishte shërbyer jetës dhe shëndetit të njerëzve.
Bora do të mbetet në kujtesën time edhe përmes këtij momenti të veçantë akademik: provimit në lëndën Etikë dhe Deontologji Mjekësore, ku u vlerësua shkëlqyeshëm. Kjo foto është më shumë se një kujtim provimi; është dëshmi e seriozitetit, edukatës, përkushtimit dhe formimit të saj si studente e denjë e Fakultetit të Mjekësisë.
Në këto çaste dhimbjeje të madhe, si mjek dhe pedagog i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Keçi, mamasë së Borës – Dr. Kozeta, të afërmve, Fakultetit të Mjekësisë, pedagogëve, dhe gjithë shoqërisë studentore të Borës. Humbja e saj dhe e të atit është një plagë e rëndë për familjen, për komunitetin mjekësor dhe për të gjithë ata që i njohën.
U prehshin në paqe shpirtrat e tyre!