Autoriteti Kombëtar i Ushqimit rezulton se nuk ka reaguar në mënyrë të duhur ndaj një sinjali alarmi nga sistemi evropian për sigurinë ushqimore (RASFF), i cili lidhej me një ngarkesë luleshtrydhesh të eksportuara nga Shqipëria me përmbajtje të lartë pesticidi. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse kjo sasi është asgjësuar pas kthimit në vend. Këto përfundime dalin nga një raport i fundit i KLSH.
Sipas të dhënave të vitit 2021, RASFF njoftoi për 10,700 kg luleshtrydhe të dërguara drejt Kroacisë nga kompania “A” Sh.p.k., ku u konstatuan nivele të pesticidit Tebuconazole prej 0.09 mg/kg. Ky fungicid, sipas analizave të autoriteteve kroate, tejkalonte normat e lejuara të Bashkimit Evropian dhe paraqiste rrezik potencial për shëndetin e konsumatorëve. Për këtë arsye, ngarkesa u refuzua dhe u kthye në Shqipëri më 30 prill 2021.
Auditimi evidenton se reagimi i institucioneve ka qenë i vonuar dhe i mangët, konkretisht nga AKU Fier, e cila ka ndërhyrë me katër ditë vonesë. Në procesverbalin e inspektimit, subjekti deklaroi se nuk dispononte më produktin, pasi ai ishte rikthyer tek fermerët furnizues.
Më tej, janë konstatuar edhe pasaktësi në dokumentacionin laboratorik. Një raport i paraqitur si provë rezultoi se i përkiste një produkti tjetër (lakër sallatë) dhe jo luleshtrydheve në fjalë. Ndërkohë, nga faturat rezulton se kompania kishte siguruar produktin nga fermerë të ndryshëm në Fier, me sasi që varionin nga 1270 deri në mbi 3400 kg, por kthimi i mallit te fermerët është kryer pa njoftuar AKU-në.
Sipas auditimit, produkti i dyshuar për pasiguri është shpërndarë sërish tek fermerët pa mbikëqyrjen e autoriteteve dhe nuk ka prova nëse është asgjësuar apo ka hyrë përsëri në treg. Gjithashtu mungon dokumentacioni për kontrollin në kufi, bllokimin e ngarkesës apo procedurat e detyrueshme të asgjësimit.
Në përfundim të inspektimit, ndaj kompanisë u vendos vetëm një gjobë administrative prej 200,000 lekësh për shkelje të ligjit “Për ushqimin”. Sipas KLSH, kjo masë është e pamjaftueshme në raport me rrezikun e krijuar, pasi legjislacioni parashikon edhe penalitete më të rënda, përfshirë pezullim aktiviteti apo ndjekje penale në raste të tilla.
Raporti nxjerr në pah edhe një problem më të gjerë: në kohën e ngjarjes, Shqipëria nuk kishte të përcaktuar një kufi specifik për mbetjet e pesticideve në luleshtrydhe. Vetëm më 10 maj 2021 u miratua një udhëzim nga Ministria e Bujqësisë, i cili vendoste kufirin maksimal për Tebuconazole në 15 mg/kg—një nivel shumë më i lartë se ai i BE-së dhe Kroacisë, ku kufiri është 0.02 mg/kg. Diferenca mes këtyre standardeve arrinte në 14.98 mg/kg.
Sipas auditimit, vetëm në vitin 2025 Shqipëria e përafroi përfundimisht këtë standard me atë të Bashkimit Evropian, duke vendosur të njëjtin limit prej 0.02 mg/kg për këtë pesticid në luleshtrydhe.



