Prej pesë ditësh, qyteti i Vlorës është zhytur në një krizë totale të furnizimit me ujë të pijshëm. Jo për shkak të mungesës së burimeve ujore, por si pasojë e kolapsit të rrjetit të shpërndarjes, një rrjet që drejtuesit e Bashkisë dhe të Ujësjellësit po përpiqen ta justifikojnë publikisht si “amortizim teknik”, por ky version rezulton të jetë një mashtrim i hapur.
Dokumentet zyrtare të investimeve, provojnë se rrjeti i furnizimit me ujë të qytetit të Vlorës është rindërtuar plotësisht vetëm 3 vite e gjysmë më parë, përmes dy super-tenderëve të zhvilluar nga Bashkia e Vlorës dhe Ujësjellësi.

Bëhet fjalë për dy kontrata me vlerë totale 9.6 miliardë lekë me TVSH, të firmosura nga ish-kryebashkiaku Dritan Leli dhe ish-drejtori i Ujësjellësit Shkëlqim Leskaj, të cilat iu dhanë kompanisë “Gener 2 Sh.p.k”, në pronësi të oligarkut Bashkim Ulaj, së bashku me kompaninë e tij filiale “4 AM Sh.p.k”.
Tenderi i parë, me objekt “Rikonstruksion dhe ndërtim i rrjetit të ujësjellësit në zonat Lungomare – Uji i Ftohtë – Shkolla e Marinës”, u zhvillua më 25 shtator 2020, me vlerë kontrate 6.3 miliardë lekë dhe afat punimesh 1 vit. Në realitet, punimet u zvarritën për dy vite, ndërsa kontrata u lidh me 99.3% të fondit limit, praktikisht pa konkurrencë reale.
Ky investim u shoqërua me një garanci funksionimi 10-vjeçare, sipas së cilës çdo defekt duhej të riparohej dhe financohej nga kompania private.
Tenderi i dytë, i datës 29 qershor 2021, me vlerë 3.3 miliardë lekë me TVSH dhe afat punimesh 6 muaj, iu dha sërish kompanisë “Gener 2 Sh.p.k”, këtë herë me 99.6% të fondit limit, pa garë, dhe po ashtu me garanci 10-vjeçare funksionimi.
Në praktikë, kjo “garanci” rezultoi një farsë. Pas vetëm 3 vitesh, rrjeti u shemb, duke lënë mijëra familje dhe biznese pa ujë për ditë të tëra, madje edhe gjatë festave të fundvitit, ndërkohë që koston e riparimit po e paguan shteti, jo kompania private siç parashikon kontrata.
Si të mos mjaftonte kjo, me shkresë nr. 386, datë 12.02.2021, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve i akordoi kompanisë së Bashkim Ulajt edhe 400 milionë lekë shtesë, me objekt “Furnizimi me ujë dhe kanalizime”, të cilat u likuiduan në fund të vitit 2024 – një pagesë e pastër “thela mbi bisht”.
Ndërkohë, më 21 maj 2021, i njëjti oligark fitoi edhe tenderin tjetër me vlerë 8.7 miliardë lekë me TVSH për rikonstruksionin e ujësjellësit të fshatrave të Njësisë Administrative Novoselë, ku sot, në disa fshatra, rrjeti vijon të mos funksionojë.
Pasojat e këtij abuzimi financiar dhe institucional janë tashmë publike. Të dielën, banorët e revoltuar hynë me forcë në sallën ku Bashkia e Vlorës po zhvillonte Mbrëmjen Gala, ndërsa të hënën protestat u zhvendosën masivisht në ambientet e Bashkisë dhe të Prefekturës.








