Një ish-ministre e Mbrojtjes që hyn e del në SPAK, një port ushtarak i sekuestruar me vendim të katër shkallëve të drejtësisë, dhe një Kryeministër që sulmon hapur Prokurorinë Speciale jo për korrupsionin, por për “bllokimin e investimit”.
Olta Xhaçka po thirret disa herë në SPAK për Portin e Limionit, një bazë ushtarake strategjike. Ndërsa Edi Rama zgjodhi të mos mbrojë shtetin, por kontratën, Jo ligjin, por investitorin. Jo sigurinë kombëtare, por narrativën e “200 milionë eurove”.
Drejtësia ka folur qartë: sekuestrim nga GJKKO, konfirmim nga Apeli, Gjykata e Lartë dhe Kushtetuesja. Katër institucione. Katër filtra. Katër “po”. Por për Kryeministrin, të gjitha këto janë “arbitraritet”, ndërsa hetimi penal ndaj ish-ministres së tij për tjetërsim prone ushtarake qenka thjesht një pengesë për biznesin.
Në këtë histori ka vetëm një absurd real:
që një bazë detare e Forcave të Armatosura të jepet për investim pa miratimin e Presidentit;
Që një ish-ministre të merret në pyetje për shpërdorim detyre;
dhe që Kryeministri të dalë publikisht kundër SPAK, duke kërcënuar me arbitrazh ndërkombëtar, sa herë drejtësia prek njerëzit e tij.
Kur drejtësia heton, Rama flet për NATO-n.
Kur gjykatat vendosin, Rama flet për investitorët.
Kur SPAK thërret ish-ministren, Rama flet për “mendësi të vjetra”.
Por faktet janë kokëforta: Porti i Limionit është pronë ushtarake. Është sekuestruar për shkelje të rënda ligjore. Dhe Olta Xhaçka është thirrur në SPAK si ish-ministre e Mbrojtjes. Pikë.
Ky nuk është konflikt mes pushteteve.
Ky është refuzim për të pranuar se epoka e pandëshkueshmërisë po mbaron.
Dhe ky është realisht foto-lajmi i vitit:
Ish-ministrja Olta Xhaçka do të merret e pandehur.








