Teksa nesër pritet që të zgjidhet kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Ndërkombëtarët do të zbarkojnë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për të monitoruar me vëmendje këtë proces. Ambasada e BE-së në Tiranë theksoi se ambasadori Gonzato do të jetë i pranishëm së bashku me përfaqësuesit ambasadave të vendeve anëtare të BE-së.
Ndërkohë që vetë Gonzato, dërgoi një mesazh të qartë gjatë takimit të përbashkët mes Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Ai kërkoi që procesi të jetë i pastër dhe pa ndikime, si dhe theksoi se personi i zgjedhur duhet të jetë dikush me integritet të lartë dhe figurë të pastër.
“Gonzato shprehu besimin se anëtarët e KLP-së do të tregojnë nivelin më të lartë të përgjegjshmërisë dhe do të sigurojnë që Prokuroria e Posaçme të drejtohet nga një person me integritet të padiskutueshëm, i pavarur, profesionist dhe i përkushtuar ndaj standardeve më të mira të BE-së”, thuhet në njoftimin e BE-së.
Zgjedhja e kreut të ri mund të quhet ‘thembra e Akilit’ sa i takon mbijetesën së vetë SPAK-ut. Nëse në krye të këtij institucioni zgjidhet një figurë e dyshimtë, ose e ndikuar nga politika, kjo do të sillte fundin e SPAK. Për këtë arsye, pas investimit të madh që vendet e BE-së dhe SHBA-ja kanë bërë në Strukturën e Posaçme, ata kanë vendosur në monitorim KLP-në, e cila ka në dorë zgjedhjen e zëvëndësuesit të Altin Dumanit, teksa i kanë vënë ‘kushte’ lidhur me identikitin e kreut të ri të SPAK.
Nga ana tjetër edhe Ambasada Britanike reagoi gjithashtu për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK, teksa e quajti atë një hap të rëndësishëm për forcimin e shtetit të së drejtës. Britania gjithashtu kërkoi transparencë në proces.
“Zgjedhja e Drejtuesit të SPAK është një hap i rëndësishëm në përparimin e Shqipërisë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit. Është e rëndësishme që Këshilli i Lartë i Prokurorisë ta realizojë këtë proces në mënyrë të lirë, të drejtë dhe transparente. Mbretëria e Bashkuar pret me padurim të bashkëpunojë me këdo që do të zgjidhet, për të vazhduar dhe forcuar marrëdhënien tonë të shkëlqyer”, thuhet në njoftimin e Ambasadës Britanike.
Vlen të theksohet se pavarësisht se nuk ka një Ambasador amerikan në Tiranë, përfaqësues të lartë të Ambasadës së SHBA-së do të jenë gjithashtu prezent gjatë zgjedhjes së kreut të ri të SPAK.
Kujtojmë se drejtuesit aktual, Altin Dumani, i mbaron mandati trevjeçar më 16 dhjetor. Ndërkohë që në garë janë Klodian Braho, Doloreza Musabelliu, Adnan Xholi dhe Elvin Gokaj. Njëri prej tyre do të zgjidhet nesër si kreu i ri i SPAK-ut.








