Miqtë e Edi Ramës shpallen Non-Grata nga SHBA

0

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka vendosur sanksione të rënda ndaj një grupi biznesmenësh shqiptarë nga Belshi, të njohur si familja Hysa, për përfshirje në aktivitete të pastrimit të parave në bashkëpunim me kartelin e drogës Sinaloa.

Në listën e zezë janë përfshirë Luftar Hysa, Arben Hysa, Ramiz Hysa, Fatos Hysa dhe Fabjon Hysa, i biri i Luftarit. Të gjithë janë të njohur për veprimtarinë e tyre në fushën e turizmit dhe lojërave të fatit, me kompani të shtrira në disa vende të botës.

Sipas autoriteteve amerikane, rrjeti i bizneseve të familjes Hysa është përdorur për pastrimin e parave të fituara nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve, kryesisht përmes kompanive me bazë në Meksikë.

Një prej këtyre kompanive, “Emine Casino” në San Luis Rio Colorado, dyshohet se ka shërbyer si qendër për shpëlarjen e parave të kartelit famëkeq Sinaloa.

Në njoftimin e Departamentit të Thesarit theksohet se Luftari dhe Arbeni Hysa kanë përdorur entitete të regjistruara në Europë për të fshehur origjinën e parave të pista dhe për të maskuar transfertat e dyshimta që lidhen me individë të përfshirë në trafik narkotikësh.
Ndërkohë, Arben Hysa rezulton pronar dhe drejtues i kompanisë Entretenimiento Palmero, S.A. de C.V., e cila sipas autoriteteve është përdorur për të mbuluar veprimtaritë kriminale të familjes. Në bordin drejtues të kësaj kompanie figuron edhe Eselda Hysa, vajza e Ramiz Hysës.

Në dokumentet e publikuara nga SHBA thuhet gjithashtu se familja Hysa ka bashkëpunuar me një shtetas amerikan për transportimin e sasive të mëdha të parave të gatshme nga Meksika në territorin e Shteteve të Bashkuara, ku ato më pas janë futur në qarkullimin financiar përmes bizneseve legale.

Pas vendimit të OFAC-ut (Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja), çdo aset i familjes Hysa në SHBA ose që kalon përmes sistemit financiar amerikan është bllokuar, dhe çdo institucion që bashkëpunon me ta rrezikon masa ndëshkuese.

Sanksionet janë vendosur në bashkëpunim me Rrjetin për Zbatimin e Krimeve Financiare (FinCEN) dhe Qeverinë e Meksikës, si pjesë e një operacioni të gjerë kundër pastrimit ndërkombëtar të parave.

Interesant mbetet fakti se Luftar Hysa, një nga emrat kryesorë të familjes, është takuar në vitin 2020 me kryeministrin Edi Rama gjatë një aktiviteti publik në Shqipëri, ku është prezantuar si sipërmarrës në sektorin e turizmit. Pas këtij takimi, emri i tij ka fituar vëmendje të madhe mediatike, ndërsa tani ai gjendet në qendër të një hetimi ndërkombëtar për lidhje me kartelin më të fuqishëm të drogës në botë, Sinaloa.

Autoritetet amerikane e cilësojnë familjen Hysa si një rrjet transnacional që ka përdorur ndikimin ekonomik për të pastruar paratë e drogës në SHBA, Europë dhe disa vende të tjera të Amerikës Latine.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu