Rruga drejt qeverisë në Kosovë, kalon përmes LDK-së

0

Shkruan Zef Ndreka

Të përpiqemi të bëjmë analizën politike të mundësive të Vetëvendosjes për të krijuar qeverinë pas mandatimit të Glauk Konjufcës nga presidentja Vjosa Osmani.
Sa e ndihmon krijimin e qeverisë pozicioni aktual i Vetëvendosjes?
Lëvizja Vetëvendosje është ende forca më e madhe politike në Kosovë, por nuk ka shumicën absolute në Kuvend. Pas krizës së fundit, ajo mbetet në një pozitë të brishtë, kinse e fortë në popullaritet, por e kufizuar në numra.
Glauk Konjufca është figurë e besuar e Albin Kurtit dhe përfaqëson vazhdimësinë e linjës së Vetëvendosjes e cila nuk bën asnjë kompromis me partitë e “vjetra të korrupsionit”.
Ky pozicion moral duket se e forcon në opinion publik, por e vështirëson aritmetikën e thjeshtë parlamentare.
– Po aleatë potencialë a do i ofrohen VV-së?
E para është partia e Vjosa Osmanit, pra partia Guxo, sepse është aleati më i afërt dhe natyror i Vetvendosjes për shumë arësye. Gjithashtu ka qenë pjesë e qeverisë Kurti dhe ideologjikisht ndajnë të njëjtën qasje reformuese, antikorrupsion dhe properëndimore. Kështu, përfshirja e tyre në një qeveri të mundshme është e sigurt.
– Po Lidhja Demokratike e Kosovës?
LDK-ja, ka marrëdhënie të ftohta me Vetvendosjen, por jo armiqësore.
Kjo parti asnjëherë nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit, sidomos nëse qeveria e re paraqitet si “teknike” apo e tranzicionit.
LDK-ja ka elektorat qytetar dhe të moderuar, që mund të pranojë bashkëpunimin për stabilitet, por gjithnjë në varësi të disa garancive që merr si parti në qeverisje.
– Po Partia Demokratike e Kosovës, çfarë qëndrimi do mbajë?
PDK-ja, marrëdhëniet me Vetëvendosjen i ka konfrontuese dhe ideologjikisht të kundërta.
Vetëvendosja e akuzon PDK-në si simbol të kapjes së shtetit, korrupsionit dhe klientelizmit.
Kështu, PDK nuk ka interes tii japë jetë një qeverie që e margjinalizon si opozitë.
Në këto kushte, mundësia e bashkëpunimi është pothuajse zero.
– Po nga AAK apo Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e Ramush Haradinajt, çfarë pritet?
Vetë AKK-ja, ka tensione të vazhdueshme me Albin Kurtin.
Haradinaj e sheh Vetëvendosjen si rivale ideologjike por dhe elektorale.
Për tu përfshirë në qeverisje, Ramush Haradinaj mund të kërkojë çmime shumë të larta për mbështetje, psh. poste në siguri, në mbrojtje etj.
Por edhe me këtë parti parlamentare, mundësia e bashkëpunimit me Vetëvendosjen mbetët shumë e vogël për të mos thënë e pamundur.
– Po partitë e komuniteteve jo-shumicë, serbe, boshnjake, turke, rome, çfarë qëndrimi do mbajnë?
Vetëvendosjes i duhet të marrë minimum 61 vota, dhe disa nga këto deputetë janë thelbësorë për shumicën.
Lista Serbe, e afërt me Beogradin, zakonisht nuk mbështet qeveri të udhëhequra nga Vetëvendosja.
Por partitë boshnjake e turke shpesh pranojnë bashkëpunim pragmatik.
Dhe mundësia e bashkëpunimit mbetët pjesërisht e mundur, por mjaft e ndërlikuar.
Në këtë situatë, cilat mbetën strategjitë e mundshme të Vetëvendosjes për të krijuar qeveri?
1. Qeveri e pakicës e mbështetur nga jashtë koalicionit.
Do të ishtë një mundësi teorike që Vetëvendosja të mund të formojë një qeveri me partinë Guxo, plus disa deputetë të pavarur, dhe të kërkojë mbështetje ad hoc për çdo ligj.
Kjo mundësi e vogël, por gjithsesi mbetët një mundësi, krijon avantazh sepse ruan pavarësinë. Por rrezikon fort për destabilitet dhe rënie e mundshme e qeverisë në çdo moment.
2. Koalicion i gjerë me LDK.
Nëse arrijnë marrëveshje për reforma, drejtësi e zhvillim, kjo do të mbetej zgjidhja më e qëndrueshme, dhe është realisht mundësia të kalojë shumicën prej 61 votash në parlament.
Por ky variant kërkon kompromise dhe ndarje pushteti mes dy partive.
3. Zgjedhje të reja.
Ky version është i pashmanshëm nqs dështon mandatimi i Konjufcës dhe vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Kështu, Vetëvendosja mund të përpiqet të kapitalizojë krizën për të fituar më shumë vota.
Nga pikëpamja strategjike, krijohet një situatë e favorshme për Vetëvendosjen nëse ndjen ende mbështetje popullore.
Por rreziku i “lodhjes” së elektoratit është real.
Pra nga sa analizuam, në këtë fazë, Vetëvendosja ka potencial real për të formuar qeveri, por vetëm nëse tregohet më fleksibël me LDK-në dhe partitë e vogla.
Nqs ruan vijën e ngurtë të “vetëqeverisjes pa kompromis” siç ka ndodhur deri më sot, atëherë gjasat bien ndjeshëm.
Pra, rruga drejt qeverisë kalon përmes LDK-së.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu