Partia Demokratike teksa nisi sot procedurat për shkarkimin e presidentit Barjam Begaj, denoncoi se ky i fundit ka shkelur Kushtetutën, duke u angazhuar në një veprimtari private gjatë kohës që ushtron detyrën si kryetar shteti.
Me zë dhe figurë, kryetari i grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, nga Kryesia e Kuvendit, denoncoi se presidenti punonte ‘pasdite’ si mjek në klinikën private turke, Acibadem.
Por si rezulton e vërteta? Në një kërkim të thjeshtë në faqen zyrtare të ‘Open Spending Albania’, ka konstatuar të dhënat. Në formularin e deklarimit të pasurive, të vitit 2023, të zotit Begaj, në seksionin e të ardhurave dhe angazhimeve në veprimtari publike/private, rezulton një deklarim i pagesës prej 1,605 euro nga spitali Acibadem.
Në të njëjtin seksion, janë listuar dhe të ardhurat nga Presidenca, në formën e pagës dhe të dietave.
Por çfarë përcakton Kushtetuta? Duke iu referuar nenit 89 të Kushtetutës, Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë asnjë detyrë tjetër, përveç detyrës së presidentit dhe detyrave honorifike, pa pagesë.
“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private.”, citohet në nen.








