Gazetari Robert Papa ka bërë një paralajmërim të fortë për kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se dosja “McGonigal” është aq voluminoze dhe e rëndë, sa nëse nuk e ka “groposur” tashmë, do ta bëjë në një moment të afërt.
Në një analizë të publikuar në emisionin e tij online “Fokus”, Papa tha se dokumentet e publikuara nga Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë në SHBA konfirmojnë takime të përgjuara në Tiranë, Washington D.C. dhe New York, transaksione të dyshimta financiare dhe një dosje prej afro 8 mijë faqesh, ku sipas tij ndodhen elementë që lidhen drejtpërdrejt Ramën dhe rrethin e tij me ish-zyrtarin e FBI-së Charles McGonigal.
Papa theksoi se procesi ligjor në SHBA është i gjatë dhe i vështirë, pasi ngritja e një akuze kalon në filtrin e një jurie të madhe. Por fakti që McGonigal u akuzua pavarësisht avokatëve të shtrenjtë, sipas tij, tregon se provat janë serioze.
Gazetari gjithashtu sugjeroi se hetimet në SHBA dhe rrjedha e parave mund të çojnë në pasoja të pashmangshme për Ramën.
Ai përmendi gjithashtu emra dhe detaje të tjera, duke aluduar për përfshirje të figurave të afërta me Ramën dhe lëvizje parash drejt Monte Carlos dhe SHBA-së, si dhe për takime të nivelit të lartë të përgjuara nga autoritetet amerikane.
Ky paralajmërim ka ndezur debat në rrjetet sociale, duke rihapur diskutimin mbi lidhjet politike dhe financiare që përmenden në dosje.