Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara ka nisur sërish intervistat për aplikantët e rinj të vizave studentore dhe ka vendosur udhëzime më të rrepta për kontrollin e rrjeteve sociale.
Sipas një komunikate zyrtare të dërguar ambasadave dhe konsullatave amerikane të mërkurën, të siguruar nga The Washington Post, të gjithë aplikantët do të kërkohen të kenë profilet e rrjeteve sociale të hapura për publikun, në mënyrë që të mund të verifikohet qëndrimi i tyre ndaj SHBA-ve, përfshirë çdo shprehje armiqësie.
Ky vendim vjen pas pezullimit të takimeve për vizat e studentëve muajin e kaluar, si pjesë e një fushate të zyrtarëve amerikanë kundër universiteteve që, sipas tyre, kanë nxitur antisemitizëm apo kanë paraqitur shqetësime për sigurinë kombëtare.
Procedurat e reja të verifikimit do të zbatohen për të gjithë shtetasit e huaj që aplikojnë për vizat F (për studime akademike), vizat M (për arsimin profesional) dhe vizat J (për shkëmbime edukative dhe kulturore). Këto rregulla do të zbatohen pavarësisht institucionit ku studenti ka planifikuar të studiojë.